Pas takimit me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hita, ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm për rivlerësimin e situatës kriminale në Sarandë.

Vendimi vjen pas ngjarjes së ndodhur paraditen e 20 shtatorit 2026 në qytetin e Sarandës dhe pas analizës së zhvilluar nga drejtuesi i Policisë së Shtetit me strukturat drejtuese të Komisariatit të Policisë Sarandë.

Sipas Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm do të përbëhet nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike. Ata do të kryejnë një rivlerësim të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat hetimore.

Paralelisht, do të rivlerësohet performanca e të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe e efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në varësi të rezultateve të këtij procesi, Policia e Shtetit njofton se do të ndërmerren masat përkatëse.

Në kuadër të masave të reja, po punohet gjithashtu për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, të cilat do të mbështeten me bazën e nevojshme logjistike.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e 20 shtatorit, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave. Hetimet po zhvillohen në koordinim me veprimet operacionale të strukturave të Policisë në terren.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb