VLORË- Larja e hesapeve dyshohet se ka qenë motivi, që çoi në vrasjen e tre të rinjve dhe plagosjen e një tjetri në lagjen “Çole” në Vlorë. Alfred Velaj, 28 vjeç, Haki Rakipaj, 27 vjeç dhe Albi Limaj, 28 vjeç, gjetën vdekjen si pasojë e shkëmbimit të zjarrit këtë të martë, ndërsa mbeti i plagosur Aleksandër Llanaj.
Gjithçka ndodhi në një lokal në lagjen “24 maji”, e njohur ndryshe si lagjja “ Çole”. Dy grupe rivale, fillimisht Alfred Velaj dhe Haki Rakipaj janë konfrontuar fizikisht me Aleksandër Llanaj, e më pas kanë ndërhyrë bashkëpunëtorët e tjerë të këtij të fundit nga jashtë lokalit duke hapur zjarr, të cilit i janë kundërpërgjigjur edhe Rakipaj e Velaj.
Një prej dëshmitarëve në vendngjarje, Ervis Mehmeti, i cili u shoqërua fillimisht nga policia, por u la i lirë më pas tregon për News24 atë që ndodhi. Ai thotë se s’ka lidhje me personat e përfshirë në konflikt, por shkoi në vendngjarje vetëm për të ndihmuar një prej të plagosurve, Albi Limaj, duke vepruar si çdo qytetar.
Dëshmitari thotë se më pas policët e kanë shoqëruar në Komisariat. Mehmeti tregon se në polici e kanë akuzuar për krimin dhe e kanë mbajtur për 7 orë me radhë. Për shkak të këtij episodi dhe shqetësimit, i riu ka përfunduar edhe në spital.
Blutë e Vlorës kanë mundur të arrestojnë pak orë pas ngjarjes 4 autorët e dyshuar: Ani Begaj, 36 vjeç; Aleksandër Llanaj, 23 vjeç; Xhuliano Lutaj, 21 vjeç dhe Bertil Alliaj, 23 vjeç si autorë të dyshuar të masakrës së ndodhur. Në vendin e krimit janë gjetur dy pistoleta dhe janë bllokuar dy automjete “BMW X5”.
(m.k/BalkanWeb)
