Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ksamilin, ku një 20-vjeçar francez është gjetur i vrarë pranë lokalit “Principotes” gjatë orëve të natës.
Viktima është identifikuar si Miguel Mendes. Sipas të dhënave paraprake, i riu dyshohet se është qëlluar me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Për ngjarjen dyshohet si autor 29-vjeçari Sokrat Vata, shtetas shqiptar, i cili pas krimit është larguar nga vendngjarja. Policia ka nisur kërkimet për kapjen e tij, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Emri i Sokrat Vatës rezulton të jetë përmendur edhe më herët në një çështje penale në Angli. Në vitin 2023, ai ishte shpallur fajtor për posedim të një arme sulmuese, konkretisht një perforcuesi metalik grushti, posedim kokaine dhe drejtim automjeti pa siguracion.
Sipas të dhënave nga autoritetet britanike, më 13 prill 2024, në Kent, Vata përmbysi një automjet të klonuar që po drejtonte pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në autostradën A20, në East Malling. Ai u largua nga vendngjarja, ndërsa në automjet u gjetën disa qese me kokainë dhe targa.
Vetëm 17 ditë më vonë, më 30 prill 2024, Vata u përfshi sërish në një ndjekje policore në Cambridge. Ai po drejtonte një Toyota RAV4 gri të raportuar të vjedhur dhe, pasi policia tentoi ta ndalonte, u largua me shpejtësi.
Ndjekja vijoi në disa rrugë të qytetit. Vata ndaloi për pak kohë për të zbritur një pasagjer dhe më pas vazhdoi drejt Clara Rackham Road, ku u largua me vrap dhe hodhi një pako me kokainë në një shkurre.
Policia e gjeti më vonë të fshehur në kopshtin e pasmë të një banese. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u zbuluan edhe targa. Vata rezultoi gjithashtu pozitiv për drejtim automjeti nën ndikimin e drogës.
Tashmë, emri i tij është rikthyer në vëmendje pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku një turist i ri francez humbi jetën. Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet dhe kërkimet për kapjen e 29-vjeçarit.
