Një 44-vjeçar i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin e shtetasit Sajmir Kolaveri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me vendimin e datës 25 shtator 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal dhe armëmbajtjen pa leje.

Sipas hetimeve, Kolaveri dyshohet se më 5 gusht 2020 ka bashkëpunuar me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal për vrasjen e Klevis Lleshit. Pas ekzekutimit, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe varrosjen e kufomës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, me qëllim fshehjen e krimit.

Pas mbërritjes në Shqipëri, 44-vjeçari iu dorëzua autoriteteve kompetente për vijimin e procedurave ligjore.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb