Policia e Kosovës ka arrestuar Astrit Isufin, i dyshuari kryesor për vrasjen e dy vëllezërve Driton dhe Naim Morina, ngjarje që ndodhi të enjten, më 6 nëntor, në fshatin Golluboc të Malishevës. Sipas autoriteteve, Isufi u ndalua në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 06:30, ndërsa në momentin e arrestimit është gjetur i plagosur. Pas dhënies së ndihmës së parë, ai është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Po sot, rreth orës 06:30, është arrestuar i dyshuari. Ai ka qenë i plagosur dhe pas ndihmës së parë që i është dhënë, është dërguar në QKUK për trajtim,” deklaroi drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta. Ende nuk dihet saktësisht si është plagosur i dyshuari, i cili pas kryerjes së krimit ishte larguar nga vendngjarja. Në një komunikatë për media, Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se personi i arrestuar, me inicialet A.I., kishte qenë më parë në arrati. “Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Vrasja e dyfishtë ndodhi paraditen e së enjtes, rreth orës 11:00, kur Astrit Isufi dyshohet se qëlloi për vdekje Driton dhe Naim Morinën, para derës së shtëpisë së tyre. Viktimat ishin vëllezërit e bashkëshortes së autorit të dyshuar. Tragjedia ndodhi në kohën kur familja Morina ishte ende në ditë zie për vdekjen e babait të tyre, i varrosur vetëm disa ditë më parë. “Familja ende ishte duke pritur njerëz për ngushëllim. Ai u kthye dhe i vrau para syve tanë. Edhe babën e kishim varrosë para pak ditësh,” tregoi një i afërm i familjes për mediat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: