Paraditen e së hënës, 50-vjeçar shqiptar Eduart Danaj që vrau me plagë të shumta me thikë ish-bashkëshorten, duke i lënë armën e krimit të ngulur në trupin e pajetë, pritet t’i kërkojë falje hetuesit të hënën. Ngjarja ndodhi në Menidi, në orët e para të së enjtes.

Për shqiptarin nga Vlora rëndon akuza për vrasje me dashje në gjendje të qetë shpirtërore, armëmbajtje pa leje dhe përdorimi i armëve. Ndërkohë, të afërmit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e të ndjerës do të përcjellin Enkelejda Danajn sot në banesën e të fundit në vendlindjen e saj, Shqipëri.

Vëllai i gruas, duke folur për protothema.gr, ka përmendur torturat që ka bërë ish-kunati i tij ndaj motrës së tij edhe kur gruaja ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë, ai i kishte futur kokën në zbardhues. Por pavarësisht këtyre episodeve, 50-vjeçari mbeti i lirë, ndonëse gruaja fatkeqe e kishte denoncuar tre herë në të kaluarën për dhunë në familje. Më 7 maj, autori u arrestua pasi viktima e kishte denoncuar për dhunë në familje. Ai u referua për t’u gjykuar në Gjykatën e Athinës, por seanca e çështjes ishte shtyrë për ditën e sotme.

Rrëfimi cinik i 50-vjeçarit
50-vjeçari i arrestuar pasditen e së enjtes në Fyli ka rrëfyer në mënyrë cinike krimin e tij, duke përshkruar se “U zgjova në mëngjes dhe shkova në atë vend pasi e dija që do kalonte, deri në orën 5.30 të mëngjesit. Kur e pashë, nxora thikën dhe fillova ta godas. Më pas u largova në këmbë dhe shkova në një hotel. U ula për pak dhe më pas u largova”.

I pyetur nga policia se pse e ka kryer krimin e rëndë, autori i vetë-rrëfyer dyshohet se është përgjigjur se “nuk duroja dot të shikoja të dashurin e saj duke drejtuar makinën time. Unë punoja dhe ajo po më hante paratë. Dje mora vendimin për të vrarë gruan time. Të punoj dy punë që të mi hajë ai? E dija kur do të dilte nga shtëpia. E qëllova dhe e godita me thikë. Më pas shkova në një hotel ku qëndrova rreth dy orë. Pastaj dola jashtë. Piva disa birra derisa policia më gjeti”. Vlen të theksohet se në asnjë moment 50-vjeçari nuk është “penduar” dhe nuk ka kërkuar falje deri tani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb