TIRANE

Policia e Tiranës ka zbardhur vrasjen e ish-policit, 50-vjeçarit Arben Bilali në Tiranë, duke vënë në pranga autorin. Burime për ‘Balkan Web’ bëjnë me dije se i arrestuari për vrasjen e tij është 40-vjeçari, Gjergj Cukali.

40 vjeçari është arrestuar disa herë për shpërndarje kokaine si edhe për thyerje të arrestit shtëpiak.

Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në D.V.P.Tiranë, në bashkëpunim me  Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë,  në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 30.01.2019, ku në rrugën “Isuf Banka” në Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.B., 50 vjeç, pas një pune të mirëorganizuar  është arritur të bëhet zbulimi dhe dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje, ku është bërë kapja dhe  ndalimi i autorit të dyshuar: Gj. C., 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”,  “Armëmbajtja  pa leje” dhe “Rrëmbim personi”

Materialet në ngarkim të shtetasit Gj. C., iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve luftarake.”-njofton policia.

Ngjarja

Arben Bilali, ish-polici është qëlluar për vdekje me armë zjarri në zonën e Selitës në Tiranë, më 30 janar të 2019.

Ish punonjësi i policisë udhëtonte me mjetin tip ‘Hyundai’ me targa AA867HX kur është qëlluar për vdekje me 14 plumba nga persona ende të paidentifikuar.

Autorët pasi kanë qëlluar në drejtim të ish-efektivit të Policisë së Shtetit janë larguar nga vendngjarja me një makinë tip “Benz”.

Për shkak të plagëve të marra ish-efektivi i policisë nuk arriti të mbijetonte edhe pse ndihma mjekësore iu dha në kohë rekord.

Ngjarja dyshohet për motive hakmarrje. Kjo pasi familja e Bilalit ka qenë në konflikt me dy familje të tjera në kryeqytet, përplasje të cilat kanë prodhuar disa të vrarë. Mes të cilëve edhe dy vëllezër të Bilalit të ekzekutuar në 1997 dhe 2010 në po të njëjtën zonë, atë të Selitës, ku u qëllua për vete edhe ish-oficeri i policisë.

Vrasjet për hasmëri

Arben Bilalit i kishin vrarë më herët edhe dy vëllezërit. I përfshirë në këto përplasje fillimisht ka qenë Bujar Bilali i vrarë në një atentat në vitin 1997 nga një grup kriminal rival të dyshuar si të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës dhe prostitucionit. 13 vite më pas, në gusht të vitit 2010 ekzekutohet në zonën e Selitës Leonard Bilali, vëllai i vogël i Bujarit dhe Arbenit.

Në maj të vitit 2010 Arben Bilali i kishte shpëtuar një atentati me armë zjarri pranë stacionit të fundit të Tiranës së Re, duke mbetur i plagosur nga kjo ngjarje.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb