Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Zhym të Njësisë Administrative Krutje në Lushnje, ku një 45-vjeçar dyshohet se ka goditur me sëpatë prindërit e tij, duke shkaktuar vdekjen e nënës dhe plagosjen e rëndë të babait.

Sipas të dhënave paraprake, Florion Dalladaku, 45 vjeç, ka goditur nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, dhe babain, Hasanin. Si pasojë e plagëve të marra, 80-vjeçarja ka humbur jetën.

Ndërkohë, babai i tij, Hasani, është transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës në gjendje kritike për jetën. Për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, ai është nisur më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.

Pas ngjarjes, autori dyshohet se ka marrë automjetin e vëllait të tij dhe është larguar nga vendi i krimit. Ai është kapur më pas nga një patrullë e Policisë në Fier.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe po merr në pyetje familjarët dhe të afërmit e 45-vjeçarit.

Sipas dëshmive të të afërmve, Florion Dalladaku kurohej prej vitesh për probleme të shëndetit mendor dhe gjatë gjashtë viteve të fundit ka qenë dy herë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.

Po sipas informacioneve të bëra me dije nga të afërmit, vite më parë ai kishte tentuar të vriste me armë zjarri, tip çifte, një bashkëfshatar. Për këtë ngjarje, ai ishte dënuar nga drejtësia.

Hetuesit po punojnë për të dokumentuar dinamikën e plotë të krimit, ndërsa pritet që në vijim të dalin detaje të tjera mbi motivin dhe rrethanat që çuan në sulmin e rëndë brenda familjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb