Në deklarimet paraprake përballë grupit hetimor, Sokrat Vata, autori i dyshuar i vrasjes së turistit portugez, ka shpjeguar dinamikën e ngjarjes.

Vata ka pretenduar përballë hetuesve se sherri ka nisur fillimisht mes turistëve, të cilët kanë qenë edhe nën efektin e alkoolit. Sipas tij, atyre u është kërkuar të ruanin qetësinë, pasi në lokal ndodheshin edhe persona të tjerë.

Por, duke qenë se situata nuk është qetësuar, ka nisur përplasja fizike mes tyre. Vata ka theksuar se thikën me të cilën është goditur 21-vjeçari nuk e kishte me vete, por pretendon se ajo ishte në dorën e viktimës.

Sipas deklarimeve të tij, gjatë përleshjes fizike ai ia ka marrë thikën nga dora dhe më pas e ka goditur 21-vjeçarin.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim përcaktimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit, ndërsa për shkak të lëvizjes së personave që vrapojnë, situata nuk dallohet qartë.

Momenti i goditjes me thikë të 21-vjeçarit nuk është fiksuar nga kamerat e sigurisë, për shkak të distancës së largët dhe errësirës.

Sipas policisë, 21-vjeçari portugez kishte ardhur në Shqipëri së bashku me disa miq të tij dhe kishte qëndruar prej gati një jave në vendin tonë.

Ndërkohë, familjarët e 21-vjeçarit ende nuk janë paraqitur në polici për të kryer procedurat për tërheqjen e trupit.

Sipas hetimeve, ngjarja e rëndë që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil ka nisur rreth orës 05:15 të mëngjesit të 18 gushtit, në ambientet e lokalit “Principote”, dhe më pas ka vijuar në plazhin “Paradise”.

Sipas Policisë, Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se gjatë konfliktit e ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez. Ndërkohë, David Heurtevent, 29 vjeç, i shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur viktimën me grushte. Të dy janë të dyshuar për veprën penale “vrasje me dashje në bashkëpunim”.

Përpara përdorimit të thikës, në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe katër kamerierë të lokalit “Principote”: Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina. Sipas hetimeve të policisë, ata kanë goditur me grushte 20-vjeçarin dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në ambientet e lokalit ndodheshin edhe Miosid Matushaj, punonjës policie, Luciano Seferi, 44 vjeç, punonjës i IEVP Fier, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, si dhe Kristi Koshi, të cilët kishin funksionin e bodyguard-ëve.

Sipas hetimeve, këta persona nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe nuk kanë njoftuar policinë pas ngjarjes. Për këtë arsye, ata akuzohen për moskallëzim të krimit, ndërsa Miosid Matushaj akuzohet edhe për mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme.

Edhe pronari i lokalit “Principote”, Bekim Bulica, ndodhej në ambientet e subjektit në momentin e konfliktit. Sipas policisë, ai është larguar pa kallëzuar ngjarjen dhe për këtë arsye është shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë apo të pranishëm në momentin e ngjarjes.

Autori u arrestua pak orë më vonë në tentativë për tu larguar drejt Tiranës, në Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një makine, që drejtohej nga 1 vajzë turke.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb