Është dhënë sot masa e arrestit me burg për Violand Braçellari, autor i vrasjes së efektivit Enea Mekolli, gjatë një aksioni për kapjen e 41-vjeçarit.
Nga shtrati i spitalit të Traumës, është mbajtur sot seanca gjyqësore për Braçellarin, i cili sulmoi me armë policinë, ndërsa vrau Mekollin dhe plagosi kolegun e këtij të fundit Edison Adri.
Ngjarja ndodhi para tre ditësh në Lozhan të Maliqit.
VENDIMI
1. Vleftesimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” ngelur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.
2. Caktimin ndaj personit nën hetim V.B, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
U shpall nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës Tiranë, sot më datë 07.06.2026.
