Prokuroria në Massachusetts ka dhënë sinjalet më të qarta deri më tani se synon të rigjykojë Lindsay Clancy, e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj në vitin 2023. Seanca gjyqësore e së hënës ka sjellë zhvillime të reja, ndërsa gjykata ka caktuar datën 16 nëntor për shqyrtimin e disa kërkesave që mund të përcaktojnë ecurinë e procesit të ardhshëm.
Gjyqtari Uilliam Sullivan pritet të shprehet për disa mocione të paraqitura nga palët, mes tyre edhe kërkesën e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave për vrasje të shkallës së parë. Nëse do të ketë një rigjykim, ai mund të zhvillohet që në mars të vitit 2027.
Clancy u përball me një proces gjyqësor disa-javor gjatë verës, por në fillim të shtatorit gjyqi përfundoi pa një vendim, pasi 12 anëtarët e jurisë nuk arritën të bien dakord. Mosmarrëveshja mes tyre lidhej kryesisht me pretendimin e mbrojtjes se gruaja nuk ishte penalisht përgjegjëse për shkak të gjendjes së rëndë psikike.
Avokati i saj, Kevin Reddington, kërkoi që procesi i ri të zhvillohet sa më shpejt, duke këmbëngulur për një datë gjatë pranverës. Ai kundërshtoi mundësinë që klientja e tij të qëndrojë e burgosur edhe për një ose disa vite të tjera, pa një vendim përfundimtar.
Nga ana tjetër, prokurorja Jennifer Sprague deklaroi se prokuroria do të presë vendimin e gjyqtarit për mocionet e paraqitura përpara se të përcaktojë konkretisht se si do të vijojë çështja. Ajo la të kuptohet se bëhet fjalë për një rigjykim, por pa sqaruar nëse Clancy do të përballet sërish me të njëjtat akuza apo me akuza të ndryshuara.
Clancy akuzohet për tre vrasje të shkallës së parë, që nënkuptojnë vrasje të qëllimshme dhe të paramenduara. Megjithatë, prokuroria mund të vendosë të kërkojë një dënim për vepra më të lehta, si vrasja e shkallës së dytë, e cila përfshin vrasje të paligjshme të kryera me keqdashje ose pakujdesi ekstreme, por pa paramendim.
Një pjesë e rëndësishme e seancës së së hënës iu kushtua edhe një anëtari të jurisë, i identifikuar si “Juror Doe”, i cili nuk ishte pajtuar me pjesën tjetër të jurisë. Sipas diskutimeve në gjykatë, anëtarët e tjerë dukeshin të prirur të shpallnin Clancy-n të pafajshme për shkak të gjendjes së saj mendore, ndërsa kundërshtimi i njërit prej tyre çoi në bllokimin e vendimmarrjes dhe shpalljen e procesit të pavlefshëm.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu një sërë provash, përfshirë telefonin dhe të dhënat telefonike të anëtarit të jurisë, ndërsa avokatja e tij kundërshtoi pretendimet e ngritura nga ekipi mbrojtës i Clancy-t.
Gruaja nuk e mohon se ka vrarë tre fëmijët e saj, por mbrojtja pretendon se në momentin e ngjarjes ajo vuante nga një formë e rëndë e psikozës pas lindjes. Prokuroria, nga ana tjetër, këmbëngul se vrasjet ishin të qëllimshme.
Prokurori i distriktit, Timothy Cruz, nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht nëse do të ketë një rigjykim dhe as nuk ka bërë të ditur se çfarë hapash do të ndërmerren më tej në këtë çështje. Vendimi i gjykatës më 16 nëntor pritet të jetë përcaktues për zhvillimet e ardhshme.
