Jani Aliaj, i shumëkërkuar në Shqipëri për vrasje, është ekzekutuar në burgun grek të Koridhalos.
49-vjecari nga Tepelena, i cili ndodhej i arrestuar në Greqi prej 31 dhjetorit 2024, është vrarë sot në burgun e Koridhalos duke u goditur me thikë nga një i burgosur grek në sektorin 3 të burgut.
Edhe autori, ashtu si Aliaj, rezulton i dënuar për vrasje. Policia greke ka nisur hetimet për ngjarjen duke mos përjashtuar faktin që ngjarje të jetë vrasje me pagesë.

Jani Aliaj rezulton person i kërkuar në Shqipëri, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Gjithashtu ai rezulton i kërkuar edhe për një ngjarje të ndodhur në vitin 2015 në Përmet, ku tentativa e vjedhjes së një sasie të madhe marijuane përfundoi me të plagosur. Për atë ngjarje Aliaj kërkohej për tre akuza.

Gjithashtu Jani Aliaj, i cili u arrestua në 31 dhjetor 2024 me identitetin e rremë Aleksan Kreshnik, kërkohej në Greqi pasi ishte arratisur nga burgu i Korfuzit ku vuante dënim me burgim të përjetshëm plus 2 vjet plus 12 muaj për vrasjen e një shqiptari, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje, ngjarje të ndodhura në Athinë në vitin 2006.
