Ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ka reaguar pas humbjes së raportuar të Aleksandar Vuçiçit në zgjedhjet e parakohshme në Serbi, duke e cilësuar këtë zhvillim si një mesazh të rëndësishëm për të gjithë ata që kërkojnë fundin e pushteteve autokratike në Ballkan.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Jaço thekson se pushteti i Vuçiçit dukej i paprekshëm, por rezultati i zgjedhjeve ka treguar, sipas tij, se edhe udhëheqësit që konsiderohen të palëkundur mund të humbasin pushtetin.

Ai ndalet veçanërisht te Shqipëria, duke tërhequr paralele mes qeverisjes së kryeministrit Edi Rama dhe asaj të Vuçiçit në Serbi. Sipas Jaços, marrëdhënia e ngushtë mes dy liderëve, mënyra e ushtrimit të pushtetit dhe protestat studentore në të dyja vendet e bëjnë të pashmangshëm krahasimin.

Ish-kreu i Dhomës Amerikane vlerëson se studentët shqiptarë mund të nxjerrin mësime nga organizimi i të rinjve serbë, veçanërisht nga mënyra se si ata arritën të fitonin besimin e qytetarëve dhe ta zgjeronin lëvizjen përtej universiteteve.

Jaço nënvizon se ndryshimi politik në Serbi nuk garanton automatikisht një zhvillim të ngjashëm në Shqipëri, por, sipas tij, u jep protestuesve shqiptarë një shtysë të rëndësishme morale.

Reagimi i plotë:

“Humbja e Vuçiç është lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që ëndërrojnë fundin e autokratëve në Ballkan. Pushteti i tij dukej i paprekshëm. Por sot, bindja se ‘këta nuk ikin kurrë’ është më e dobët se kurrë.

Në Shqipëri, kjo humbje ka një domethënie të veçantë. Miqësia mes Ramës dhe Vuçiç, ngjashmëritë në qeverisjen autokratike dhe revolta që i nxori studentët në rrugë në të dyja vendet e bëjnë krahasimin të pashmangshëm.

Por ndryshimi në Serbi nuk e sjell automatikisht ndryshimin në Shqipëri.

Studentët shqiptarë kanë shumë për të mësuar nga ata serbë: si u organizuan, si fituan besimin e qytetarëve dhe mbi të gjitha, si u zgjeruan përtej universiteteve.

Sot fituan një ngritje të jashtëzakonshme morale: në Serbi ia dolën. Për këdo që proteston në Shqipëri, kjo është një arsye më shumë për të besuar se mund t’ia dalin edhe këtu”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb