Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se nga takimi i 7 shtatorit në Bruksel nuk pret të diskutohet ndonjë gjë thelbësore. “Po e shoh se zyrtarët nga Kosova nuk dëshirojnë të flasin për Asociacionin e Komunave Serbe, as për veriun, as për Gazivodën. Unë mendoj se ata nuk dëshirojnë që të flasin për ndonjë gjë thelbësore”, -ka thënë Vuçiç, raporton tanjug, transmeton Express.
Presidenti serb i pyetur se si i komenton deklarimet e fundit të Thaçit se nuk do të diskutojë as për liqenin e Gazivodës e as për veriun e Kosovës. Ai ka thënë se Serbia nuk ka kohë për të humbur dhe se liderët e të dyja shteteve duhet të marrin përgjegjësi.
Por ndryshe janë pritjet e Brukselit për këtë takim ndërmjet dy presidentëve. Komisioneri Johanes Hahn ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet deri në fund të këtij viti, ose më së largu deri në Maj të vitit 2019. Kujtojmë se të martën koalicioni qeverisës në një seancë që është shtyrë disa herë radhazi si pasojë e mungesës së kuorumit dhe kushtëzimit të deputetëve të Listës Serbe, ka venë në rend të ditës votimin e një grupit të unitetit për dialogun me Serbinë, që do të udhëhiqet nga Fatmir Limaj.
Këtë nismë sot e ka mbështetur edhe Thaçi, i cili ka thënë se do të bashkëpunojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Seanca e koalicionit qeverisës është thirrur si kundërpërgjigje ndaj seancës së thirrur nga opozita ku pritet të miratohet një rezolutë që ia ndalon Thaçit të debatoj për kufijtë në dialogu e Brukselit./Express