Ervin Salianji ka reaguar pas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku Lista Studentore ka siguruar epërsi ndaj forcës politike të presidentit Aleksandar Vuçiç. Salianji e ka cilësuar këtë zhvillim si një mesazh të rëndësishëm edhe për Shqipërinë, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama është autokrati i fundit që ka mbetur në Ballkan dhe Europë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji theksoi se lëvizja studentore serbe, pas një beteje dyvjeçare, arriti të sfidojë jo vetëm pushtetin e Vuçiçit, por edhe partitë tradicionale të opozitës, të cilat, sipas tij, refuzuan të reformoheshin.
Ai argumentoi se rezultati i zgjedhjeve në Serbi tregon se lëvizjet qytetare mund të sjellin ndryshime politike, ndërsa opozitat që përqendrohen te ruajtja e pozicioneve të tyre rrezikojnë të humbasin mbështetjen e qytetarëve.
Duke e lidhur këtë zhvillim me protestat studentore në Shqipëri, Salianji deklaroi se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm dhe se ndryshimi politik vjen kur qytetarët mobilizohen dhe kërkojnë alternativa të reja.
Reagimi i plotë:
Pas një beteje dyvjeçare, lëvizja studentore në Serbi i dha goditjen vendimtare pushtetit të Aleksandar Vuçiçit, duke e nxjerrë në opozitë. Studentët sfiduan njëkohësisht edhe partitë tradicionale të opozitës që refuzuan të reformoheshin. Partitë opozitare dolën nga skena politike dhe u kthyen në relike të historisë!
Mesazhi është i qartë: reagimi qytetar shpërblehet, autokracitë bien, opozitat që luftojnë për të mbrojtur karriget e tyre fshihen nga harta politike dhe alternativa sjell ndryshimin.
Aleksandar Vuçiç është autokrati i parafundit që largohet. Edi Rama është i fundit në Ballkan dhe Europë!
Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Asnjë autokraci nuk është e pathyeshme. Kur qytetarët ngrihen dhe opozita e vjetër humbet besimin e tyre, ndryshimi bëhet i pashmangshëm.
Fundi i Ramës është më afër se kurrë!
