E përditshmja amerikane Washington Post raporton se Rusia dyshohet se i ka dhënë fshehurazi Iranit informacione për vendndodhjen e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Sipas tre zyrtarëve të cituar nga gazeta, Moska i ka ofruar Teheranit të dhëna për shënjestrimin e instalimeve ushtarake amerikane, përfshirë anije luftarake dhe avionë, që nga fillimi i luftës fundjavën e kaluar. Burimet kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Nëse këto pretendime konfirmohen, ato do të tregonin një përfshirje indirekte të Rusisë në konflikt, pavarësisht se zyrtarisht Moska ka bërë thirrje për përfundimin e luftimeve dhe e ka cilësuar situatën një “agresion të armatosur të paprovokuar”.
Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA dhe CIA kanë refuzuar të komentojnë mbi raportimet për ndihmën e mundshme ruse.
Vështirësitë e Iranit për të zbuluar forcat amerikane
Sipas zyrtarëve amerikanë, aftësia e Iranit për të identifikuar pozicionet e forcave amerikane është dobësuar ndjeshëm në ditët e para të konfliktit.
Megjithatë, Teherani ka ndërmarrë mijëra sulme me dronë dhe raketa ndaj bazave ushtarake amerikane, ambasadave dhe objektivave të tjera, ndërsa operacionet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kanë goditur më shumë se 2 mijë objektiva në territorin iranian.
Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet iraniane po synojnë kryesisht infrastrukturën e komandës dhe kontrollit, radarët e paralajmërimit të hershëm dhe instalime të përkohshme ushtarake.
Një nga sulmet goditi një objekt në Kuvajt, ku mbetën të vrarë gjashtë ushtarë amerikanë.
Ekspertja e forcave të armatosura ruse në Carnegie Endowment for International Peace, Dara Massicot, tha se sulmet e Iranit janë bërë më të sakta.
“Iranianët po godasin me saktësi radarët e paralajmërimit të hershëm dhe radarët me rreze të gjatë. Ata po kërkojnë strukturat e komandës dhe kontrollit”, tha ajo.
Sipas raportimit, Rusia mund t’i ketë dhënë Iranit edhe informacione satelitore dhe të dhëna të inteligjencës, pasi Teherani nuk disponon një rrjet të zhvilluar satelitësh.
Përfitimet e mundshme për Rusinë
Gazeta thekson se Kremlini mund të shohë përfitime strategjike nga një konflikt i zgjatur mes SHBA-së dhe Iranit. Mes tyre përmenden rritja e çmimit të naftës – që do të rriste të ardhurat e Rusisë – si dhe shpërqendrimi i SHBA-së dhe Evropës nga lufta në Ukrainë.
Megjithatë, zyrtarët rusë kanë deklaruar se konflikti në Lindjen e Mesme “nuk është lufta e Rusisë”, duke theksuar se prioriteti strategjik i Moskës mbetet situata në Ukrainë.
