Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërime të forta ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani ka afat deri nesër në orën 08:00 për të arritur një marrëveshje, përndryshe do të përballet me pasoja të rënda.
“Ata kanë kohë deri nesër në orën 8, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Po negociojmë me mirëbesim. Pas orës 8 ata nuk do të kenë ura, stacione”, tha Trump gjatë një prononcimi për gazetarët.
Ai gjithashtu shprehu pakënaqësi ndaj Aleancës së NATO-s, duke thënë: “Jam shumë i zhgënjyer me NATO-n”.
Duke folur për masat që mund të ndërmerren ndaj Iranit, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë në pozicion fitues dhe paralajmëroi vendosjen e tarifave në lidhje me Ngushticën e Hormuzit.
“Ne jemi fitues, ata kanë humbur. Do të vendosim taksa (në Ngushticën e Hormuzit)”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump paralajmëroi gjithashtu për një përgjigje të ashpër ushtarake, duke thënë se nuk dëshiron ta ndërmarrë një veprim të tillë, por se mund të shkaktojë “shkatërrim total”.
“Do t’u duhen 100 vjet për të rindërtuar vendin e tyre”, deklaroi ai, duke iu referuar Iranit.
Presidenti amerikan përsëriti se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani të pajiset me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një vijë të kuqe për administratën e tij.
