TIRANE- Galeria Kombëtare e Arteve prezanton për publikun ekspozitën “Strategji dhe Taktika / Ekspozitë e videoartit sllovak”, të enjten më 30 Korrik. Ky prezantim vjen si rezultat i një bashkëpunimi mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe White House Biennial, një platformë artistike ndërkombëtare me bazë në Athinë, Greqi. White House Biennial (WHB) startoi në vitin 2010 në Athinë, si një reagim artistik krah dhjetra demonstratave dhe protestave të ashpra kundra periudhës së vazhdueshme të krizës së thellë financiare dhe etike mes të cilave po kalon vendi ku ka lindur demokracia.
Sprova për Demokraci, edicioni i fundit i WHB, merr në shqyrtim rolin revolucionar të artit dhe të fuqisë së tij për të ndikuar në ndryshimet socio-politike, duke ngritur pyetje vendimtare mbi përkufizimin dhe rimodelimin e demokracisë. Brenda kuadrit konceptual të edicionit aktual ‘Sprova për Demokraci’ White House Biennial do të prezantojë në Galerinë Kombëtare të Arteve një program shumë-shtresash ndërkombëtar të ndarë në dy ekspozita. ‘Strategji dhe Taktika’ është ekspozita e parë e cila fokusohet në videoartin bashkëkohor sllovak, kuruar nga Lydia Pribisova.
“STRATEGJI DHE TAKTIKA”
Në ekspozitë do shfaqen punë të artistëve Anton Cierny, Pavlina Fichta Cierna, Iva Durkacova, Oto Hudec, Martin Kochan, Daniela Krajcova, Tamara Moyzes, Ilona Nemeth, Lucia Nimcova, Tomas Rafa, Shlomi Yaffe, Anabela Zigova. Kuratorja, Lydia Pribisova, shwnon nw koncpetin e saj kuratorial se mund të thuhet se artistët sot janë kthyer në ekspertë në konceptimin e alternativave të reja dhe gjetjen e mënyrave të pazakonta, krijuese, për të mbijetuar. Shoqëria jonë neoliberale, bazuar në dinamikën e kapitalit, zor se e njeh vlerën simbolike të “pakapshme” të artit, duke i detyruar artistët ose të bëhen aleatë me tregun, ose të zënë një pozitë të periferike në shoqëri e cila nuk i lejon ata të jetojnë nëpërmjet profesionit të tyre, artit. Sipas Pribisovës, pikërisht kjo situatë i detyron artistët për të ideuar dhe zhvilluar struktura të reja ekzistence dhe kjo temë shfaqet në punën e shumë artistëve në një gamë të gjerë formash.
Nëpërmjet mënyrash krijuese dhe taktikash të ndryshme ata kërkojnë të gjejnë rrugën e tyre në shoqëri. Në veprat e tyre ata shpesh mbështeten dhe tematizojnë taktikat e mbijetesës të minoriteteve në shoqëri dhe njerëzve të pa-fuqishëm, të tillë si emigrantët, romët, të persekutuarit nga regjimet totalitare, e kështu me radhë. Tema kryesore e ekspozitës, një përzgjedhje e videoartit bashkëkohor sllovak, është bazuar në kundërvënien mes strategjisë dhe taktikës. Dallimet mes tyre janë propozuar nga filozofi francez Michel de Certeau në librin e tij “Praktika e Jetën së Përditshme” (1984). Strategjia, në terminologjinë ushtarake, është fusha e superioritetit të arritur dhe e influencës që tashmë është afirmuar pjesërisht; ajo është programi i udhëheqjes së bashkësisë drejt pushtimeve të mëdha; është plani afatgjatë i atyre që kanë kohë dhe njohuri të përgjithshme për të krijuar një formulim teorik. Strategjia është identifikimi i fushatave kyçe që janë të nevojshme për të përmbushur objektivin kryesor.
Strategji do të thotë kontroll (i një qyteti, një institucioni etj). Sipas de Certeau, zhvillimi i strategjisë evidenton kompetencat dhe fuqinë e pushtetit. Ushtrimi i strategjisë është i lidhur me një vend që mund të përkufizohet si i mirëqenë dhe në këtë mënyrë shërben si një bazë për gjenerimin e marrëdhënieve me subjekte të jashtme. de Certeau argumenton se taktikat janë e kundërta e strategjisë. Taktikat i përkasin Tjetrit. Pra, ngaqë përdoruesi i taktikave nuk ka një bazë, taktikat varen nga koha. Kjo do të thotë fleksibilitet, kombinim i elementëve heterogjenë. Kuratorja nënvizon se në kontrast me strategjinë, de Certeau argumenton se taktikat janë kompetencë e të pafuqishmëve.
Taktikat janë më shumë një përshtatje ndaj mjedisit, i cili është krijuar nga strategjitë e të fuqishmëve, dhe proceset krijuese i nënkupton si shkëmbim dhe bashkëpunim. Taktikat janë më të pjesshme, më rastësore, dhe konsistojnë në negociata të mjaftueshme për momentit; ato janë metodat e pakicës. Janë veprime të qëllimshme por njëkohësisht edhe intuitive, të cilat shpesh janë më elastike dhe eksploruese në raport me objektivin. Taktikat janë në një gjendje të përhershme e të vazhdueshme rivlerësimi dhe korrigjimi. Sipas Pribisovës, artistët në këtë ekspozitë përdorin taktika të shpikura prej tyre për të zbuluar dhe evidentuar strategjitë e shoqërisë në përgjithësi, dhe në veçanti strategjitë e saj utilitare. Kundërveprimet e artistëve tregojnë ndjeshmëri, humor dhe fleksibilitet. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, strategjitë e ndryshme politike dalin të jenë boshe dhe vetë-referuese. Për shkak se kontrolli i strategjisë nuk është kurrë i përsosur, arti ndihmon për të gjetur këto boshllëqe në sistem.
(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
