Gjatë vizitës së saj në SHBA, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit.

Ministrja Xhaçka theksoi se mandati në Këshillin e Sigurimit do t’i japë Shqipërisë mundësinë për t’u dëgjuar e për të kontribuar në platformën më të rëndësishme të politikës globale.

“Kjo është një mundësi e artë për të promovuar interesat dhe objektivat diplomatikë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke nisur sigurisht nga çështja e Kosovës dhe stabiliteti rajonal. Për më tepër, kjo është një mundësi që na lejon të forcojmë bashkëpunimin me aleatët dhe të kontribuojmë në mënyrë konkrete për të çuar përpara disa prioritete të përbashkëta, siç janë agjenda e Grave, Paqes e Sigurisë apo lufta kundër Radikalizmit të Dhunshëm e sfidat e sigurisë që burojnë nga ngrohja globale. Ajo që më bën të ndihem vërtet mirë është që ekipi i diplomatëve tanë është jo vetëm plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që kanë kundrejt vendit, por janë edhe krejtësisht në lartësinë e detyrës dhe sfidave që i presin”, u shpreh ministrja pas takimit.

Takimi i Ministres Xhaçka me ekipin përfaqësues në Këshillin e Sigurimit vjen tre javë para fillimit të mandatit të Shqipërisë në KS të Kombeve të Bashkuara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb