TIRANE-Mënyra se si vishen deputetët u bë objekt batutash dhe debati në Komisionin e Ligjeve. Kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, ishte kritik me veshjen e deputetëve. Xhafaj kërkon më tepër seriozitet në komisionet parlamentare, madje u kujton deputetëve se së shpejti do të vihet në zbatim Kodi i Etikës që do i mësojë deputetët si të sillen.
DEBATET
Nard Ndoka: Shumë i lodhur më dukesh, kryetar.
Fatmir Xhafaj: I lodhur jo, por i mërzitur po. Se njëri më vjen në komision me
krahë të shkurtra, një tjetër me Tshirt… mendoj që një këmishë dhe një kollare duhet ta vini, se jeni deputetë.
Nard Ndoka: Jo po vijmë me bluzë me numër 23.
Pandeli Majko: Jo, jo, ajo bluzë ishte për në fushatë elektorale.
Fatmir Xhafaj: Po ç’është kjo, ky është institucion?! Më erdhi Ristani mbledhjen që kaloi me një bluzë me mëngë të shkurtra.
(Në komision vjen deputeti demokrat Mhill Fufi)
Bashkim Fino: Ja erdhi figura. Edhe ky me mëngë të shkurtra.
Fatmir Xhafaj: Mhillit i lejohet se është opozita. Dhe opozitës i lejohet edhe pa mëngë të shkurtra të vijë.
Dashamir Peza: S’mund të vendosen kushte se si të vishemi, nëse s’ka ndonjë ligj që të na pengojë.
Fatmir Xhafaj: Të enjten tjetër vjen ligji për Kodin e Etikës. Po nuk besoj se ka nevojë t’ju mësojmë se si duhet të silleni. Vetëm shqiptarët duan t’i mësosh si të ecin në vijat e bardha…
Bashkim Fino: Ore, nuk të shoh mirë unë ty, vërtet s’të ka bërë mirë fitorja?
Fatmir Xhafaj: Mirë më ka bërë, por më ka futur në mendime…
(d.b/BalkanWeb)
