TIRANË- Xhelal Mziu ka hedhur akuza të forta ndaj rivalit të tij socialist për bashkinë e Kamzës, Safet Gjici, duke e implikuar atë në vjedhjen e 6 milionë eurove në bankë. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Mziu ka deklaruar se kryeministri Edi Rama e ka sulmuar politikisht dhe ka ndikuar te gjykata për ta dënuar me 2 vjet burg në shenjë hakmarrje për fitoren e PD në Kamzë më 23 qershor 2013 dhe njëkohësisht për ti lënë rrugë të lirë kandidatit socialist.

Për Mziun, Gjici është i implikuar në vjedhjen e bankës duke qenë se vëllai i tij ishte shefi i sigurisë. Mziu shtoi se Gjici jo vetëm që nuk e njeh qytetin e Kamzës por duke mos qenë fare banor i saj nuk e ka idenë se çfarë ndodh dhe çfarë është ajo zonë.

Duke i mëshuar idesë së kryeministri Rama ka synuar që Kamzën ta trajtojë si një geto, Mziu tha se brenda 1 viti në qytetin e Kamzës janë arrestuar 500 persona për vjedhjen e energjisë elektrike. Ai i cilësoi të padrejta këto arrestime sepse sipas tij, në këtë zonë jo vetëm nuk ka matës elektrikë, por janë banorët ata që kanë investuar për transformatorë, shtylla dhe kanalizime dhe kur ata realizojnë lidhjen, policia i arreston si vjedhës të energjisë.

 

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: