Lefter Zhidru 71-vjeç i ekzekutuar gjatë aksionit të sotëm të RENEA-s që kishte shkuar ta neutralizonte pasi ky i fundit qëlloi mbi policinë e Elbasanit dhe dy kalimtarë jetonte prej vitesh në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për “BalkanWeb” se ai jetonte në një shtëpi me ish-bashkëshorten e dytë, me të cilën edhe ka nisur sherri i sotëm që përfundoi në tragjedi.

Ndonëse prindër të një vajze 14-vjeçare Lefteri dhe ish-bashkëshortja nuk e kishin gjetur kurrë paqen dhe harmoninë e të jetuarit nën një çati.

Mësohet se Zhidru nuk e ka pranuar dot faktin se ishte divorcuar dhe i kërkonte shpesh llogari ish-bashkëshortes, ashtu siç ka bërë edhe sot.

Ndërsa gruaja nuk i është përgjigjur në banesë ka plasur sherri. Kjo e fundit ka njoftuar policinë dhe kur kanë shkuar ta arrestojnë 71-vjeçari ka hapur zjarr drejt tyre, duke lënë të plagosur dy kalimtarë.

Zhidru ka pasur edhe një djalë nga martesa e parë, i cili ka folur me të sot për ta bindur të dorëzohet, por pa sukses. Kjo me sa duket ka qënë edhe telefonata e fundit babë e bir.

“BalkanWeb” ka mundur të sigurojë ndër të tjera edhe video të pallatit ku Zhidru ka jetuar prej kohësh. Mësohet se brenda apartamentit të tij ai kishte sot edhe një sasi të konsiderueshme municionesh.

I moshuari rezistoi për pesë orë dhe iu përgjigj me të shtëna RENEA-s deri në momentin e fundit, çka çoi në fundin e tij tragjik.

Ndërhyrja e forcave RENEA ndodhi rreth orës 17:50. Fillimisht u dëgjua një shpërthim e më pas të shtëna. Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës për ta neutralizuar, por në momentin që hynë brenda Zhidru i qëlloi me breshëri plumbash, çka solli kundërpërgjigjen e forcave RENEA që e ekzekutuan.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb