Këshilltari për Sigurinë në Partinë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe shqetësuese për raportet strategjike të Shqipërisë.
Në reagimin e tij, Gjunkshi ironizoi deklaratën e Nufit, sipas së cilës marrëdhëniet Shqipëri–SHBA nisin në vitin 2015, duke theksuar se kjo qasje injoron momente kyçe historike, si rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1992, mbështetja amerikane në periudha kritike dhe roli i NATO në sigurinë rajonale, përfshirë çështjen e Kosova.
Reagimi i Xhemal Gjunkshit:
Ermal Nufi paska zbuluar historinë e re: marrëdhëniet Shqipëri-SHBA fillokan në 2015.
Pra sipas tij, çfarë ka ndodhur para kësaj? 1992? Rihapja e marrëdhënieve diplomatike? Mbështetja amerikane në momentet më kritike të këtij vendi? NATO? Kosova? Të gjitha këto qenkan ‘parahistori’.
Nëse kjo është niveli i kuptimit për partneritetin strategjik, atëherë përgjigjja e tij për Kuçovën nuk është thjesht e dobët, është alarmante.
Pyetjes direkte: nëse SHBA kërkon përdorimin e bazës së Kuçovës për një operacion ushtarak, përgjigjja nuk është ‘do e vlerësojmë’.
Sepse Shqipëria nuk është një shtet që mat pulsin sa herë flet aleati kryesor.
Aleanca me SHBA-të, nuk meriton aspak përgjigje ‘do e vlerësojmë’, por meriton një ‘PO’ të padiskutueshme.
Kur nuk e kupton historinë e marrëdhënieve me SHBA-në, fillon dhe e trajton atë si opsion.
Dhe kjo është më e rrezikshme se çdo përgjigje e gabuar.
