Shqipëria renditet e fundit në rajon për nivelin e mbështetjes sociale ndaj familjeve në nevojë, sipas një raporti të Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës.
Me vetëm 70 euro në muaj, vendi qëndron shumë larg fqinjëve si Bosnja, Serbia apo Mali i Zi.
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, akuzon qeverinë se fondet e premtuara për ndihmë sociale po zhduken në korrupsion. Ajo kritikon mungesën e masave konkrete si ulja e TVSH-së për produktet bazë.
Postimi i nënkryetares së Partisë së Lirisë Erisa Xhixho:
Shqipëria ka mbështetjen sociale më të ulët në rajon për familjet në nevojë.
📌Sipas Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës, Shqipëria renditet e fundit me 70 euro në muaj.
Federata e BiH – 304 euro
Serbia – 282 euro
Mali i Zi – 267 euro
Maqedonia e Veriut – 207 euro
Kosova – 191 euro
Shqipëria – 70 euro
Familjet në nevojë nuk janë mbështetur as në kulmin e krizave. Qeveria nuk e mbështeti kurrë propozimin tonë për uljen e TVSH-së së produkteve të shportës. Pra, ato pak lekë që ua jep në formë mbështetjeje sociale, ua merr sërish përmes TVSH-së.
Në fillim të këtij viti, kryeministri deklaroi se qeveria e ka dyfishuar fondin për mbrojtjen sociale nga 130 në 260 milionë euro.
Ku shkojnë këto para? Sigurisht, jo për familjet në nevojë dhe këtë e tregon qartë raporti i BB. Ato humbasin në vrimat e pafundme të korrupsionit. Sepse një shtet i korruptuar nuk mund të jetë kurrë një shtet social.
