Me grupin e plotë dhe me tredhëmbëshin e tij të preferuar nga minuta e parë, Lewandowski në majë i mbështetur nga Raphinha-Fermin dhe Yamal, Barcelona udhëtonte në Angli, përballë Newcastle, me stofin e një ekipi favorit, por ndryshe nga se pritej “qymyrxhinjtë” jo vetëm i bënë ballë ofensivë blaugrana, por ishin superiorë, krijuan 16 raste, goditën 4 herë kuadratin, iu anulua një gol dhe i iku nga duart fitorja vetëm në limite. Në letër “X” 1-1 nuk i lë një shije të mirë ekipit të Newcastle ndërsa i jep Barçës një bonus të madh për ndeshjen e kthimit, thjesht ishin me fat që arritën këtë rezultat.
Rasti i parë i pastër erdhi në minutën e 15-të ku Elanga me një goditje të fortë brenda në zonë flirtoi me golin e avantazhit. Vendasit ishin dhe të pafat si në minutën e 74-të kur goditja e Barnes u përplas në shtyllën pingule, aksioni vijojë duke përfunduar me gol, por dukshëm në pozicion jashtë lojë gjyqtari i takimit anuloi gjithçka. Në të 86-tën, Barnes korrigjoi shënjestrën, ku i shërbyer pastër në zonë arriti më në fund të dërgojë topin në rrjetë, një gol me shumë peshë që solli festë në “St James Park”. Në aksionin e fundit, në shansin e fundit, Dani Olmo fitoi një penallti për faull në zonë në minutën e minutën e 94-ët. Nga pika e bardhe, Lamine Yamal u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1, një gol që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në “Camp Nou”.
Pavarësisht se ekipi i tij ishte në një mbrëmje të errët, Hansi Flick kapet vetëm pas rezultatit:
“Jam më i lumtur për rezultatin se sa për atë që dhamë në fushë. Nuk luajtëm mirë kur kishim topin në këmbë. Nuk ishte e lehtë të luaje në këtë stadium, me këtë presion dhe këtë atmosferë. Gjithsesi, jam i sigurt se në “Camp Nou” do të shohim një skuadër tjetër”, u shpreh Hansi Flick.
