TIRANE

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Silvio Gonzato dhe disa nga ambasadorët e vendeve të BE-së vendin tonë morën pjesë në eventin përmbyllës të projektit “Young Cells Albania”. Projekti i financuar nga Bashkimi Europian, kishte si qëllim përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe ekspertizës së 23 nëpunësve civilë të administratës publike, përmes trajnimeve, praktikave dhe vizitave studimore 12 javore në administratat e vendeve anëtare të BE-së.
Ministrja Pirdeni u shpreh se Administrata Publike synon të kthehet në alternativë tërheqëse punësimi për profesionistët e rinj brenda dhe jashtë vendit.

“Në procesin e reformimit të mëtejshëm të Administratës, ne do të synojmë pikërisht që këtë masë kritike profesionistësh dhe ekspertësh që kemi dhe po ndërtojmë, jo vetëm ta mbajmë, por ta motivojmë për të dhënë më tej më të mirën e tyre. Përpos sistemit aktual të pagave dhe incentivave financiare dhe jo financiare që jemi duke parashikuar, ne jemi të bindur se dhe iniciativa si “Young Cells Albania” plotësojnë kurorën e ofertës sonë institucionale për t’i dhënë një mundësi gjithsecilit dhe gjithsecilës që punon në administratën publike për t’u zhvilluar profesionalisht”-tha ministrja Pirdeni

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato tha gjatë fjalës së tij se përmes projektit u forcuan kapacitetet e nëpunësve civilë, të cilët do të luajnë rol thelbësor në procesin e integrimit por edhe pasi vendi të anëtarësohet në BE.

“Nevojitet një administratë publike efikase, transparente dhe e përgjegjshme për të përgatitur dhe zbatuar politika, duke përfshirë dhe në veçanti ato që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit në BE, për të ofruar shërbime efikase me cilësi të mirë për qytetarët dhe bizneset. Ne po mbështesim Shqipërinë për të modernizuar administratën dhe kemi bërë progres të rëndësishëm, duke modernizuar procedurat e rekrutimit që janë tashmë më transparente dhe duke rritur kapacitetet e nëpunësve civilë”.-tha mbasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: