TIRANE – Ish-shefi i antidrogës së Fierit, Dritan Zagani sqaron se nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e politikës, duke theksuar se nuk është faji i tij që PD-ja shfrytëzon politikisht deklaratat e tij.
Në një reagim në faqen e tij në “Facebook”, ish-zyrtari i lartë i policisë thekson: “Unë kam qenë dhe në dashtë Zoti të dalë e drejta ime do jem përsëri, vetëm një funksionar i shtetit në profesionin tim që është ai i Oficerit të Policisë së Shtetit dhe asnjëherë shërbëtor i partive politike”.
STATUSI I PLOTE I DRITAN ZAGANIT
“Duke parë reagimet e politikës sot mbi deklarimet e bëra nga ana ime desha të sqaroj pak pozicionin tim në lidhje me to:
Së pari, unë jam një person që në jetën time as nuk kam qenë i angazhuar, as nuk do jem ndonjëherë pjesë e politikës në asnjë lloj forme apo bashkëpunimi me ta (këtë e them për të gjitha, majtas, djathtas apo lesh e li të qendrës qofshin).
Së dyti, do tu lutem përfaqësuesve të politikës që në politikbërjen e tyre ti lenë insinuatat politike në lidhje me mua, dhe të shikojnë anën ligjore përsa i përket asaj që unë kam thënë, do ta them e mbroj deri sa të kem frymë, që është lufta kundër këtyre trafikantëve të paskrupullt, që me veprimtarinë e tyre kriminale e mbështetjen në forma të ndryshme të politikës na bëjnë të ndihemi si plehra para mbarë opinionit ndërkombëtar.
Së treti, zotërinj un kam qenë dhe në dashtë zoti të dalë e drejta ime do jem përsëri, vetëm një funksionar i shtetit në profesionin tim që është ai i Oficerit të Policisë së Shtetit, dhe asnjëherë shërbëtor i Partive politike.
PS më akuzojnë si i shitur të kundërshtarët e tyre, të cilët duhet thënë për hir të vërtetës, që nuk është faji im se këto që un them po shfrytëzohen politikisht nga PD, por është ajo ç’ka unë e ndjej për detyrë ta bëj ndaj të drejtës time, familjes time që tu kthej jetën e vjedhur nga këta trafikantë me pushtet, si dhe ajo që ndjej për detyrë të bëj për vendin dhe bashkatdhetarët e mi.”
(er.nu/BalkanWeb)
