Nga: OLA MITRE*TIRANE-Të gjithë ata persona që ushtrojnë zanate të ndryshme, por që nuk kualifikohen dhe regjistrohen në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, nuk do kenë të drejtë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre”. Gjithçka përcaktohet në projektligjin “Për Zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, i cili është hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e është prezantuar nga kryeministri, Edi Rama dhe ministri, Erion Veliaj. “Mbaj mend teknikun e lavatriçes në filmin ‘Edhe ashtu edhe kështu’ që si një mënyrë për të takuar vajzën që donte, bëri si tekniku i lavatriçes. Njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë teknikët e vërtetë. Tani kemi një dhomë të vërtetë zanatesh, si 100 vjet më parë që kishim dhoma të mjeshtrave dhe zejtarëve që siguroheshin që njerëzit të certifikoheshin”, – u shpreh Veliaj gjatë prezantimit. Ndërkohë që, duke u fokusuar te rëndësia që ka arsimi profesional në drejtim të punësimit, Rama tha se tashmë “provohet me statistika që një i ri dhe e re që mbaron arsimin profesional ka 20% më shumë shanse për të gjetur një punë se dikush që përfundon shkollën e mesme të përgjithshme dhe vetëm 1% më pak shanse sesa dikush që mbaron universitetin”.
PROJEKTLIGJI
Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ka siguruar një kopje të projektligjit, i cili saktëson në detaje se si do të funksionojë kualifikimi i zejtarëve, anëtarësimi i tyre në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë e më pas ushtrimi i profesionit. Më konkretisht, ligji përcakton llojet e veprimtarive zejtare, duke filluar që nga përpunimi dhe prodhimi i produkteve për treg e që nuk kanë veçori të prodhimit industrial, mirëmbajtja dhe riparimi i stabilimenteve, objekteve si dhe kryerja e shërbimeve të tjera, punimi dhe përpunimi i objekteve të artit e deri tek artizanati shtëpiak, që është punimi me dorë i produkteve të veçanta. Sipas projektligjit, ushtrimi i këtyre veprimtarive zejtare në mënyrë të pavarur nga një person, organizatë ose nga një shoqëri, është i lejuar vetëm nëse ata janë të regjistruar në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë. Po ashtu, ligji saktëson se personi fizik ose juridik mund ta ushtrojë këtë lloj veprimtarie vetëm në rast se plotëson kushtin e eksperiencës profesionale prej të paktën 5 vitesh dhe që ka dhënë provimin kualifikues për ushtrimin e një veprimtarie të tillë.
KUALIFIKIMI
Projektligji i ndan zanatet (lista e plotë e të cilave do të përcaktohet nga qeveria) në tri nivele, ndërkohë që secili prej tyre duhet të kalojë nivele të ndryshme kualifikimi. Kategoria e parë janë ndihmësit ose ndryshe çirakët, të cilët janë persona që punojnë pranë një subjekti zejtar dhe mësojnë një zeje. Të drejtën për të realizuar kualifikimin e kanë vetëm subjektet zejtare të licencuara për këtë qëllim, por ai do të bëhet në bazë standardesh, që vendosen nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kualifikimeve të Arsimit dhe Formimit Profesional. Kategoria e dytë është ndihmës- mjeshtri, i cili është një person që ushtron një zeje në një subjekt zejtar, si i punësuar pranë një mjeshtri dhe jo i pavarur. Për të përfituar këtë titull, duhet të kalohet me sukses provimi për marrjen e kualifikimit, i cili duhet të përcaktojë nëse personi zotëron njohuritë teorike dhe aftësitë praktike që janë të nevojshme për ushtrimin jo të pavarur të zanatit përkatës. Ata që kalojnë me sukses, provimin marrin një certifikatë që lëshohet nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë. Ndërkohë që, kategoria e tretë përfshin mjeshtrin. Këtë emërtim në një zanat mund ta mbajë vetëm ai që posedon një certifikatë mjeshtri të lëshuar nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, e cila jepet pas kalimit me sukses të provimit të kualifikimit për mjeshtër. Në provimin për kualifikimin për mjeshtër pranohen personat të cilët kanë ushtruar përgjatë tri viteve zanatin si ndihmësmjeshtër ose që kanë një dëftesë të shkollës së mesme profesionale ose të një niveli më të lartë në zanatin përkatës. Ndërkohë që, në rast se provimi për titullin e mjeshtrit nuk kalohet me sukses, ai mund të përsëritet dy herë. Kjo do të thotë se, nëse brenda këtij kufizimi kohor provimi nuk kalohet me sukses, ai e humbet të drejtën të ushtrojë zanatin si “Mjeshtër”. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë edhe disa nga nenet më kryesore të projektligjit, i cili do të rregullojë ushtrimin e zanateve, që deri më tani ka funksionuar si një sektor informal.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: