“Kur mbërrita në Milano në vitin 1995, pothuajse askush nuk më vuri re. Mendonin se isha vetëm shoqëruesi i Rambertit”, ka deklaruar Havier Zanetti, duke kujtuar hapat e parë me fanellën e Interit. “Askush nuk mund ta imagjinonte atë që do të ndërtoja më pas me këtë klub”. Duke folur për figurat historike të Interit, Zanetti u ndal te Ronaldo: “Ishte një kampion i jashtëzakonshëm, brenda dhe jashtë fushës. Një herë ndaloi avionin që të prisnim shokët e skuadrës, ishte diçka e pabesueshme”.
Për Roberto Baxhon, ish-kapiteni zikaltër u shpreh: “Baxho ishte një njeri i madh, shumë i ndjeshëm. E kam parë duke qarë dhe ajo skenë më ka mbetur në mendje”. Në lidhje me tifozët ultras, Zanetti theksoi: “Raportet kanë qenë gjithmonë normale dhe me respekt. Ka një vijë që nuk duhet kaluar dhe unë e kam respektuar gjithmonë”.
