Në përfundim të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës lë të hapur mundësinë e lirimit me kusht për Zani Caushin, nëse gjykata në seancat e ardhshme aprovon kërkesën se klienti i tij Zani Çaushi ka bërë 31 vite e 3 muaj burg.

Avokati Lena tha se: “Gjykata vendosi administrimin e plotë të viteve të dënimit për rillogaritjen e tyre. I është lënë detyrë IEVP Drenovë që të paraqesë të gjitha aktet e dosjes së të dënuarit Myrteza Caushi. Kështu ne dhe gjykata do të kemi një panoramë shumë të qartë të vendimeve penale. Kemi dy vendime penale të ekzekutuara nga shteti dhe në momentin që do të kemi aktet do shohim se sa saktë janë zbatuar këto akte në lidhje me dënimin e tij.

Në mënyrë taksative atij nuk duhet t’i mohohen të drejtat e tij dhe në mënyrë taksative të llogariten saktë vitet e dënimit. Ne nuk e dimë se ku mund t’i jenë shkelur të drejtat Caushit, ndaj edhe për këtë iu drejtuam gjykatës. Por duhet të kuptojmë që institucionet e atëhershme nuk kanë pasur të njëjtën cilësi pune si sot. Nuk mund të them më shumë se sa vetëm që Zani Çaushit t’i rillogariten saktë vitet e dënimit, ashtu si ky rast do të jetë një precedent pozitiv edhe për shumë të burgosur të tjerë për rillogaritjen e viteve të dënimit në mënyrë të saktë”,- tha avokati.

Sipas avokatit, është ende herët për të diskutuar për lirimin e Zani Caushit, ndërkohë që pritet përcaktimi i kohës së saktë të përllogaritjes së kohës së vuajtjes së dënimit dhe nëse kjo përllogaritje është e saktë, Zani Caushi i bie të ketë vuajtur 31 vite e 3 muaj burgim duke përmbushur afatin e kërkuar nga neni 65 për lirimin me kusht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb