Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona, pas zbardhjes së tre rasteve të shkëputura të vjedhjeve, njëra në fshatin Radë të Krujës dhe të tjerat në Shënvlash dhe Rinas.

M.F., ka rënë në prangat e policisë pasi më 19 qershor ka tentuar të kryente vjedhje në banesën e një personi në fshatin Radë i armatosur dhe i maskuar.

Po ashtu në pranga ka rënë edhe R.K., i cili në dy raste të shkëputura ka kryer grabitje në Shënvlash dhe Rinas, i cili dyshohet se transportonte shtetasin T.M., i cili u arrestua dje në Tiranë

Durrës/Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe operacionale për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve me dhunë e me armë të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve.

1-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada”, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit M. F., 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 19.06.2026, rreth orës 02:30, ky shtetas, i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë.

Gjatë operacionit, në zonën e Krujës, 21-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri.

2-Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunëtori”, të zhvilluar dhe finalizuar nga shërbimet e DVP Durrës, u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit R. K., 51 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin T. M. (i arrestuar dje në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksimetri”), në dy raste ka vjedhur me dhunë, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi.

Nga veprimet e thelluara hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike është bërë i mundur dokumentimi ligjor i ngjarjeve, ku shtetasi R. K. shërbente si transportues i shtetasit T. M., i cili vidhte me dhunë taksistë të tjerë në qytete të ndryshme, si Tiranë, Krujë dhe Durrës.

Gjatë kontrollit të banesës dhe garazhit të shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që e lidhin me këto ngjarje.

Materialet për ngjarjet e mësipërme iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb