Zbardhen ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste. PS ka vendosur që të ndërpresë mandatin 4-vjeçar të kryetarëve aktualë të partisë të bashkive.

Gazetari Ergys Gjençaj ka siguruar për BalkanWeb dokumentin me këto ndryshime.

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KONGRESI I PARTISË SOCIALISTE
Projekt
VENDIM
Nr_____, datë 09.04.2022

Mbështetur në nenin 32 të Statutit të Partisë;
Për të përmirësuar dhe për të bërë më efektiv drejtimin e strukturave të partisë në nivel vendor;
Për t’i hapur rrugë implementimit të ndryshimeve në organizimin e strukturës së drejtimit në nivel bashkie, sipas kërkesave të parashikuara në nenet 26 dhe 27 të Statutit që miratoi ky Kongres;
Për të përmbyllur gjithë procesin zgjedhor në strukturat vendore të partisë dhe për të përsosur veprimin organizativ, politik dhe elektoral të tyre;
Me propozim të Kryesisë së Partisë dhe të Asamblesë Kombëtare,
Kongresi i Partisë;

VENDOSI:
1.Të ndërpresë mandatin 4 vjeçar të kryetarëve aktualë të partisë të bashkive;

2.Zgjedhja e drejtuesve të rinj të partisë në bashki të bëhet në përputhje me kërkesat e neneve 26 dhe 27 të Statutit dhe të Librit të Rregullave të Partisë;

3.Brenda datës 30.04.2022, Asambleja Kombëtare e Partisë të miratojë rregullat, procedurat, kriteret për organizimin e procesit të zgjedhjes për strukturat vendore të partisë si pjesë e Librit të Rregullave me ndryshimet e reja në Statut;

4.Procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese të partisë në çdo bashki do të zhvillohet në periudhën 1 Maj – 15 Qershor 2022;

5.Kryetarët aktualë të partisë së bashkive do ushtrojnë detyrat e tyre deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj;

6.Ngarkohet Kryesia e Partisë dhe Sekretariati ekzekutiv për zbatimin e këtij vendimi.

KONGRESI I PARTISË

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: