TIRANE- Banka Botërore dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë finalizuar draftin e ri që do të detyrojë çdo familje shqiptare të sigurojë shtëpinë nga tërmetet dhe përmbytjet. Burime të gazetës konfirmuan se ligji, që e bën sigurimin e detyrueshëm, është gati dhe pritet të diskutohet me grupet e interesit.
Shtepi e demtuar nga termeti
Sigurimi i detyrueshëm i shtëpive ka qenë një kërkesë e hershme e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bëhet fjalë për pagesën e një police vjetore, me detyrim, në mënyrë që në rast katastrofash nga tërmetet apo nga përmbytjet, qeveritë të dalin garant për dëmshpërblimin e banesave të shembura apo dëmtuara.
Shembujt që jep Banka Botërore në studimin e saj për Shqipërinë janë të qarta. Në rast katastrofash, vetëm një përqindje mjaft e vogël e familjeve do të përfitonin kompensim pasi janë vetë të siguruara,
pjesa tjetër do të krijonin një problem të madh social. Duke mos pasur një kulturë sigurimi, qeveria do të gjendej përballë një kolapsi edhe financiar në rast tërmetesh destruktive apo
përmbytjesh të mëdha. Dhe sipas FMNsë dhe Bankës Botërore, për fat të keq, Shqipëria hyn në vendet ku mundësitë për të tilla ngjarje natyrore janë të mëdha.
SA DO TË PAGUAJMË
Në raportin e saj, Banka Botërore parashikon një shifër nën 50 euro për banesë. “Duke pasur si referencë ekonominë e vogël të Shqipërisë për të mundësuar minimizimin e riskut, duhet që Programi Kombëtar për Sigurimin nga Tërmetet të bëhet i detyrueshëm për të gjithë pronarët që kanë një shtëpi.
Natyra detyruese e programit do të mundësojë një pjesëmarrje të gjerë të individëve, duke kontribuar kështu në zbutje të situatës dhe duke ndihmuar kështu mundësimin e çmimeve më të ulëta nga tregu global i sigurimit. Për shembull, në rastin e Rumanisë, e cila e ka të detyrueshme programin e sigurimit nga tërmetet të zhvilluar nga Banka Botërore, rreth 60 për qind e pronarëve blejnë siguracionin, i cili garanton çmime shumë të leverdishme”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Por Banka flet edhe për çmimin, pra pagesën që do të bëjë çdo familjar për të siguruar banesën e tij.
“Me një strukturë të duhur dhe pjesëmarrjen masive publike në program, normat e primit të sigurimit për pronarët e shtëpive dhe mbulimin e sigurimit pritet të jenë mjaft të përballueshme. Përballueshmëria mund të rritet më tej, duke mundësuar që programi të parashikojë pagimin e primeve të sigurimit me këste. Programi duhet të përcaktojë kufijtë minimalë të mbulimit në një nivel 20 mijë deri në 40 mijë euro, të cilat mund të mjaftojnë për mbulimin bazë të sigurimit që kanë nevojë pronarët e shtëpive, ndërkohë që primet duhet të mbahen të përballueshme, nën 50 euro në vit”, vlerëson Banka Botërore.
AMF i pyetur nga gazeta, kryetari i Bordit të AMFsë, Pajtim Melani, sqaron se sigurimi i detyrueshëm do të garantojë dëmshpërblim me disa kushte, sipas dëmit që pritet të shkaktojnë tërmetet dhe përmbytjet. Sipas Melanit, është parashikuar dëmshpërblim në rast se tërmetet “janë mbi 5 ballë e lartë, ndërsa për përmbytjet, në rast se kalojnë 504 orë reshje të vazhdueshme, ose 21 ditë”.
Autoriteti nuk ka vendosur akoma se sa do të jetë tarifa, apo si do të shpërndahet pagesa e saj e ndarë në muaj, apo një herë në vit. Ka një lloj ndarjeje sipas riskut, ku zonat me mundësi të lartë përmbytjeje do të kenë tarifë më të lartë sigurimi. Për tërmetet ndryshimi i tarifës ka të bëjë me vlerën e shtëpisë. Sipas çmimeve të referencës për ndërtimet, pritet të variojë edhe tarifa e detyrueshme e sigurimit, ku qendrat e qyteteve do të paguajnë tarifë më të lartë se periferitë. (Panorama)
(ma.ar/BalkanWeb)
