Zbardhet dinamika e vrasjes me thikë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit.

Policia bën me dije se janë arrestuar autori i vrasjes së 51-vjeçarit Valbon Beqiraj dhe bashkëpunëtori i tij.

Sipas bluve autori kishte shkuar në banesën e viktimës me qëllim blerjen e lëndëve narkotike, por për motive të dobëta është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga një 27-vjeçar, i cili me një mjet taks e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.

Njoftimi:

Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç.

Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, u zhvilluan hetime të thelluara dhe një sërë veprimesh me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025.

Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike.

Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.

Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale.

Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të veprës penale”.

 

Tivari është shprehur se 51-vjeçari Beqiri ka tentuar ta përdhunojë.

Dëshmia e autorit:

Ndërkohë autori i dyshuar i vrasjes së Valbon Beqirit në Durrës, Teilor Tivari ka dhënë dëshminë e tij përpara oficerëve të policisë.

“Me 51-vjecarin njiheshim, ishim miq. Më thirri në banesën e tij dhe shkova për të pirë një gotë birrë. Pas bisedës 51-vjeçari tentoi të në përdhunonte. Tentova të mbrohesha, ai ishte më i fuqishëm se unë, i shpëtova, mora thikën e bukës dhe e qëllova. U përleshëm me njëri-tjetrin sepse nuk më lejonte të largohesha. Jam larguar i tronditur nga vendi i ngjarjes, nuk e mendoja se ai do të vdiste”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb