“News 24” zbardh dosjen hetimore të një efektivi të policisë rrugore, i cili kundrejt ryshfetit fshinte gjobat në sistemin e policisë.

Arion Bardhi, me detyrë specialist në sektorin e financës falsifikonte numrat serial të mandat pagesave të postës shqiptare dhe fshinte gjobat nga sistemi dhe bënte konfirmimin sikur ato ishin paguar.

“Vetëm në datat 28, 29 dhe 30 nëntor 2022, ky punonjës ka konfirmuar fiktivisht 22 masa administrative, ne vlerën totale prej më shumë se 2 milionë lekësh”, thotë prokuroria.

Prokuroria zbuloi gjithashtu se efektivi tentoi të fshinte gjurmët në momentin kur policia zbarkoi për ti vënë prangat. Kjo pasi ai hodhi celularin dhe ju dorëzoi një të dytë, pa kartë sim.

“Është konstatuar se telefoni që i është vënë në dispozicion policisë nga ana e Arion Bardhit, nuk ka pasur kartë SIM. Ndërsa celulari i tij i cili ka qenë në përgjim është gjetur një ditë më vonë nga oficerët e policisë gjyqësore, i hedhur në një kosh mbeturinash, në ambientet e drejtorisë rajonale të qarkullimit rrugor”, theksohet në dosje.

Nga zbërthimi i celularit, hetuesit zbuluan prova të reja kundër të dyshuarit….

“Nga këqyrja e komunikimeve në aplikacionin SIGNAL të aparatit të telefonit të Arion Bardhit janë siguruar të dhëna për një periudhë kohore qershor-gusht 2022 ai ka bashkëpunuar me shtetasin Erjon Brako i cili i ka dërguar një sërë targash automjetesh me vlera të konsiderueshme gjobash, duke premtuar shpërblimin financiar në rast likuidimi fiktiv”, thekson prokuroria.

Ardion Bardhi dyshohet për veprat penale të shpërdorimit të detyrë dhe mashtrimit kompjuterik dhe do të qëndrojë nën masën e arrestit me burg, ndërsa masa e detyrimit për paraqitje u caktua për Erjon Brakon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb