Trajneri serb, Mlladen Milinkoviçi firmosi sot me skuadrën e Kukësit duke hedhur poshtë pretendimet e klubit të Luftëtarit se ai është ende nën kontratë me gjirokastritët.
“Unë kisha kontratë për 1 vit me mundësi rinovimi edhe për dy vite të tjera, por që nuk pranova”, deklaroi serbi gjatë prezantimit te kampionët.
Por, te Luftëtari pretendojnë se çështja është krejtësisht ndryshe dhe për ta faktuar këtë gjë ata kanë bërë publike edhe kontratën me trajnerin Milinkoviç.

“Panorama Sport” disponon faksimilet e kontratës të firmosur në 29 qershor të vitit 2016, ku në pikën 12 theksohet se nëse klubi kërkon të përdorë të drejtën e rinovimit automatik edhe për një sezon tjetër, duhet të njoftojë trajnerin me shkrim përpara datës 30 prill 2017.

Luftëtari konfirmon se e ka njoftuar trajnerin serb në datën 25 prill dhe sipas dokumentit të paraqitur, Milinkoviç e ka firmosur kontratën e re. Klubi bluzi deklaron se do e çojë çështjen në gjyq me pretendimin se trajneri duhet të paguajë 100 mijë euro për prishjen e kontratës.
“Milinkoviçin e çoj në gjyq. Është e turpshme që si ai dhe Kukësi marrin guximin të dalin para mediave, në një kohë që trajneri ka edhe 1 vit kontratë me ne. Ka pasur shumë kohë më parë biseda me Kukësin, ndihemi të tradhtuar. Tani shihemi ne gjyq”, ishin fjalët e presideniti Tavo për “Panorama Sport”.
(BalkanWeb)
