Policia e Kurbinit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku u plagos me armë zjarri 25-vjeçari E.P(T)

Uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov, me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Bashkë me armën e dyshuar të krimit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në banesën e dajës së autorit, tritol, kapsolla detonatore, një tjetër armë zjarri pushkë, municion luftarak, lëndë narkotike, doreza, maskë e sende të tjera të kundraligjshme.

Gjatë aksionit, ka rënë në pranga daja i autorit, 52-vjeçari Agron Koçi, ndërsa vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar shtetasit Kadri Kurtaj.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit, të plagosjes me armë zjarri të 25-vjeçarit, ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Laçit, ku falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë Kurbin, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të kësaj ngjarje shtetasit Kadri Kurtaj (Imeri), shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera në banesa dhe ambjente në të cilat kishin informacion që mund të fshihej autori i plagosjes së shtetasit E.P(T).

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e dajës se autorit të dyshuar shtetasit Agron Koçi, shërbimet e Policisë kanë gjetur armen e zjarrit tip automatik me krehër me 28 fishekë, me të cilën dyshohet së është plagosur shtetasi E.P(T).

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë janë gjetur dhe një armë tjetër zjarri e llojit pushkë , 8 kallëpe me lëndë plasëse tritol, fitil zjarrëpërcjellës, 70 kapsolla detonatore dhe 1.3 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: Agron Koçi, 52 vjeç, banues në Kurbin ,për veprat penale ” Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Kadri Kurtaj( Imeri), pasi ka plagosur shtetasin E.P(T) , për motive të dobëta është larguar nga vendngjarja për në banesën e shtetasit Agron Koçi, (dajës së tij), i cili e ka ndihmuar për të fshehur armën e zjarrit automatik dhe me pas të largohej.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën intensive për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar shtetasit Kadri Kurtaj.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb