Regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Reiner, kanë humbur jetën si pasojë e “lëndimeve të shumta të shkaktuara nga mjet i mprehtë”, ka konfirmuar ekzaminimi mjeko-ligjor. Sipas autoriteteve, mënyra e vdekjes për çiftin është klasifikuar zyrtarisht si vrasje.
Rezultatet e ekspertizës u bënë publike vetëm pak orë pasi djali i tyre, Nick Reiner, u paraqit për herë të parë para gjykatës, pas vdekjes tragjike të prindërve të tij. Avokati mbrojtës i Nick Reinerit, Alan Jackson, deklaroi për mediat jashtë gjykatës së Los Anxhelesit se seanca e radhës është caktuar për datën 7 janar 2026. Ai e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të thellë për familjen Reiner, duke theksuar se çështja përfshin “probleme shumë të ndërlikuara dhe serioze”.
“Ne kërkojmë që procesi të ecë përpara pa nxitim për gjykim dhe pa nxjerrë përfundime të parakohshme, por me përmbajtje, dinjitet dhe respekt për sistemin e drejtësisë dhe për familjen,” u shpreh Jackson. Ndaj 32-vjeçarit rëndojnë dy akuza për vrasje të shkallës së parë, të shoqëruara me një rrethanë rënduese të veçantë. Rob Reiner, 78 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Michele, 70 vjeçe, u gjetën të pajetë në vilën e tyre të dielën e kaluar.
Po atë ditë, autoritetet arrestuan Nick Reinerin si të dyshuarin kryesor për krimin. Sipas ligjit, dënimi për vrasje të shkallës së parë parashikon burgim të përjetshëm, deri në dënim me vdekje. Autoritetet kanë bërë me dije se çdo vendim i mundshëm lidhur me dënimin kapital do të diskutohet paraprakisht me familjen.
