Arrestohet autori i tretë në lidhje me tritolin e vendosur në një objekt privat në ndërtim në Shëngjin.

Burime zyrtare bënë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Eksplozivi’, në pranga ra shtetasi Zef Kola.

Ngjarja ndodhi më 19 nëntor të vitit 2020, ndërsa në pranga më herët ranë 2 persona.

NJOFTIMI I POLICISE

Më parë janë arrestuar edhe 2 autorët e tjerë të kësaj ngjarjeje.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, pas një pune të mirëfilltë profesionale hetimore, në kuadër të operacionit “Eksplozivi”, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 19.11.2020, në Shëngjin, shtetasit:

Z. K., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese e municionit luftarak”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit A. S. dhe E. P. (të arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Eksplozivi”), dyshohet se më datë 19.11.2020, kanë vendosur lëndë shpërthyese në një subjekt privat objekt në ndërtim e sipër, në pronësi të shtetasit L. Gj., në Shëngjin, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: