Është zbardhur takimi tête-à-tête mes Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, dhe Mbretit të Jordanisë, Abdullah II, zhvilluar në kuadër të vizitës së tij zyrtare.

Në qendër të bisedimeve ka qenë rritja e dialogut politik dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve. Presidenti Begaj theksoi se është me rëndësi të rriten shkëmbimet tregtare dhe të promovohen investimet jordaneze në Shqipëri, duke vlerësuar potencialet e mëdha që ofron vendi ynë.

Në takim u diskutua gjithashtu për çështje të politikës rajonale dhe ndërkombëtare. Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e Jordanisë për Kosovën, si në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare, ashtu edhe në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Presidenti Begaj konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për hapjen e një zyre ndërlidhëse të NATO-s në Jordani, duke theksuar se Jordania është një partner i rëndësishëm në krahun jugor të Aleancës Atlantike.

Presidenti shqiptar vlerësoi gjithashtu Iniciativën e Procesit të Aqaba-s, të promovuar nga Jordania, si një nismë e suksesshme në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ai e cilësoi Jordaninë si një “kolonë të fortë stabiliteti” në Lindjen e Mesme dhe nënvizoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Presidenti Begaj dhe Mbreti Abdullah II ndanë të njëjtin qëndrim se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë e drejtë për arritjen e paqes së qëndrueshme në rajon.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb