Tre motrat që u gjetën të pajeta në det pranë plazhit të Brighton më 13 maj, në Britani, i dhanë fund jetës së tyre në mënyrë të qëllimshme, sipas përfundimit të hetimit mjeko-ligjor. Jane Adetoro, 36 vjeçe, Christina Walters, 32 vjeçe dhe Rebecca Walters, 31 vjeçe, nga Lutoni, hynë në ujërat e ftohta të detit në një ngjarje tragjike që lidhet edhe me një tjetër humbje të rëndë në familjen e tyre. Nëna e tre motrave ishte mbytur në vitin 2010.
Hetimet zbuluan se motrat kishin udhëtuar së bashku vetëm një ditë para vdekjes së tyre për të vizituar liqenin ku ishte mbytur nëna e tyre. Ato morën një taksi drejt Birminghamit dhe, pas vizitës, u kthyen fillimisht në Londër. Të nesërmen, ato udhëtuan drejt jugut, në bregdetin e Sussex-it Lindor, ku më vonë u gjetën të pajeta.
Gjatë seancës, mjekja ligjore Penelope Schofield arriti në përfundimin se vdekjet ishin të qëllimshme. Sipas saj, fakti që tre gratë, të cilat nuk dinin të notonin, kishin hyrë në det gjatë natës, së bashku me rrethanat e tjera të udhëtimit, mbështeste përfundimin se bëhej fjalë për një pakt vetëvrasjeje. Babai i tyre, Joseph Jacobsen, e përshkroi humbjen e tre vajzave si një tragjedi të papërshkrueshme. Ai tha se tashmë gjen ngushëllim te besimi i tij i krishterë dhe kujtoi lidhjen e fortë që ekzistonte mes tre motrave.
Hetuesit shqyrtuan mijëra orë pamje nga kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e tre grave para vdekjes. Kryeinspektori i Detektivëve Cullimore tha se policia u vu në dijeni pasi u raportua për trupa që ndodheshin në detin e trazuar pranë Brightonit, ndërsa njëri prej tyre ishte nxjerrë tashmë në breg. Pamjet e kamerave treguan se motrat kishin udhëtuar nga Londra drejt Brightonit. Në pamjet e fundit të tyre, pranë skelës dhe bregut, ato shihen duke lëvizur në errësirë, ndërsa njëra prej tyre përdorte dritën e telefonit për të ndriçuar rrugën. Familjarët e tre motrave ndoqën seancën dëgjimore në internet dhe nuk morën pjesë fizikisht në të.
