Një ndërtim i ri pritet të marrë formë në kodrën panoramike, ku ndodhet Vila e Zogut në Durrës, duke sjellë një tjetër ndërhyrje urbane në një hapësirë që deri tani ka ruajtur karakterin e saj natyror.
Në këtë zonë, kompania “Rajfi Group” me administrator Ramadan Gugashin synon të ndërtojë një kompleks rezidencial.
Sipas planit, objekti do të ketë 1-7 kate mbi tokë dhe 1 deri në 3 kate nën tokë, ndërsa parcela ku do të ndërtohet kompleksi ka një sipërfaqe prej 15,977 m² dhe ndodhet rreth 800 metra larg rrugës kryesore bregdetare.
Leja e zhvillimit është miratuar në fund të janarit 2026 dhe është firmosur nga drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka.
Projekti parashikon ndërtimin në faqen e kodrës, duke shfrytëzuar pamjen e hapur drejt detit Adriatik. Megjithatë, kjo ndërhyrje ngre pikëpyetje mbi ndikimin që mund të ketë në peizazhin natyror dhe ekuilibrin e zonës.
Në përshkrimin e projektit theksohet se vendndodhja është e favorshme për zhvillim rezidencial dhe hoteleri, duke u mbështetur në mjedisin natyror dhe pozicionin e privilegjuar.
Gjithashtu, afërsia me Vilën e Ahmet Zogut, një objekt me vlerë historike dhe arkitektonike, përmendet si një element që i shton prestigj zonës.
Ndërkohë, prania e pishave dhe gjelbërimit që i kanë rezistuar urbanizimit të tre dekadave të fundit rrezikon të zëvendësohet me ndërtesa betoni.
