Organizatat kryesore ndërkombëtare dhe rajonale për lirinë e shtypit kanë bërë një apel urgjent ndaj autoriteteve shqiptare që të zbatojnë menjëherë një vendim gjykate, i cili mbron punën gazetareske të Focus Media Group, që përfshin News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura.
Apeli, i adresuar Ministrive të Brendshme, Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Drejtësisë, Policisë së Shtetit, Shërbimit Përmbarimor, Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Avokatit të Popullit, vjen pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më 12 gusht 2025, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e kompanisë për masa të përkohshme.
Vendimi urdhëronte rikthimin e aksesit të gazetarëve në pajisjet e tyre profesionale dhe materialet e punës, pas një konflikti për dëbim.
Letra e plotë:
Të nderuar ministra dhe zyrtarë,
Ne, organizatat e nënshkruara të lirisë së shtypit dhe shoqatat rajonale të gazetarëve, shprehim me këtë letër të hapur shqetësimin tonë të thellë për moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe pengimin e vazhdueshëm të aktivitetit gazetaresk në ambientet e Focus Media Group në Tiranë, që përfshin News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura.
të alarmuar që, pavarësisht vendimit të qartë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më 12 gusht 2025 – i cili pranoi pjesërisht kërkesën e Focus Media Group dhe Panorama Group për masa të përkohshme urgjente për rikthimin e aksesit në pajisjet dhe materialet e punës ky urdhër vazhdon të mos zbatohet.
Gazetarët vijojnë të përballen me kufizime në aksesin e ndërtesës për të marrë materialet e tyre, ndërsa policia ushtarake dhe ndërmarrja shtetërore KAYO raportohet se po bllokojnë aktivisht zbatimin e urdhrit gjyqësor.
Gjykata konstatoi me të drejtë se kufizimet e vendosura mbi punën e gazetarëve gjatë ekzekutimit të dëbimit përfshirë bllokimin e hyrjes në ambientet e punës, ndërprerjen e energjisë elektrike dhe largimin e pajisjeve redaksionale ishin joproporcionale. Ajo vendosi se mosmarrëveshjet e tilla duhet të zgjidhen në një mënyrë që minimizon ndërhyrjen në lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve, në përputhje me detyrimet e shtetit për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
Edhe pse gjykata nuk u shpreh mbi konfliktin e pronësisë i cili mbetet në juridiksionin e gjykatave administrative ne përshëndesim faktin që ajo u fokusua në ndikimin që pati ndërhyrja mbi aftësinë e gazetarëve për të punuar, si dhe në konstatimin se mënyra se si u trajtua dëbimi ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Është shqetësuese që urdhri detyrues i gjykatës për të inventarizuar, ruajtur ose kthyer të gjitha materialet profesionale brenda 48 orësh vijon të mos zbatohet.
Ky shpërfillje e hapur e një vendimi gjyqësor minon shtetin ligjor dhe vendos një precedent të rrezikshëm si për lirinë e medias, ashtu edhe për sundimin e ligjit në Shqipëri.
Prandaj, ne u bëjmë thirrje urgjente autoriteteve shtetërore përkatëse që të:
Zbatojnë menjëherë dhe plotësisht vendimin e 12 gushtit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke siguruar akses të pakufizuar për gazetarët në pajisjet dhe materialet e tyre;
Ndalojnë çdo veprim që cenon lirinë gazetareske, përfshirë kërkesat ndaj gazetarëve për të dorëzuar pajisjet elektronike për të hyrë në ndërtesë dhe marrë sendet personale, gjë që rrezikon konfidencialitetin e burimeve;
Sigurojnë llogaridhënie për çdo aktor shtetëror ose palë të tretë që po pengon zbatimin ligjor të vendimit gjyqësor;
Respektojnë angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të gazetarëve, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE;
Angazhohen në mënyrë transparente me kompanitë mediatike dhe përfaqësuesit e përfshirë për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme dhe për të siguruar respektimin e detyrimeve ligjore.
Ne vërejmë se ndërkohë që News24 ka rifilluar transmetimin nga ambiente të përkohshme (një restorant), kjo nuk mund të zëvendësojë rikthimin e plotë të funksionimit normal gazetaresk me të gjitha pajisjet dhe materialet profesionale të medias.
Pavarësisht konfliktit më të gjerë të pronësisë, përdorimi i forcës shtetërore për të vazhduar bllokimin e operimit të medias pa një mandat gjyqësor ose pa respektuar procesin ligjor është i papajtueshëm me angazhimet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet e saj për integrim në BE, duke dhënë një mesazh shqetësues.
shprehim gjithashtu solidaritetin tonë me Kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, dhe anëtarin e tij, Osman Stafa, si dhe me mbrojtësit e tjerë të lirisë së shtypit dhe organizatat “watchdog” që janë vënë në shënjestër për shkak të veprimeve të tyre në mbështetje të redaksive të Focus Media Group dhe Panorama Group.
Organizatat tona, të cilat më herët kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët mbi këtë çështje, mbeten të gatshme të mbështesin një dialog konstruktiv për këtë problem dhe do të vazhdojnë të mbrojnë ushtrimin e lirë të gazetarisë në Shqipëri.
ju bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse që të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të përgjegjshme për ta zgjidhur këtë situatë në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe presim përgjigjet tuaja individuale.
(BalkanWeb)
