Autoritetet policore kanë finalizuar operacionin “Orkidea”, një hetim të gjerë për parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafikim femrash me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Në kuadër të këtij operacioni, janë ekzekutuar 11 masa sigurie, duke përfshirë arrestimin e 8 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, është realizuar pas një hetimi disa mujor, ku janë përdorur metoda speciale të hetimit. Hetimi ka zbuluar se një grup i strukturuar kriminal, i përbërë nga shtetas të ndryshëm, ka shfrytëzuar për prostitucion një numër të madh femrash, kryesisht nga Amerika Latine.
Në kuadër të hetimit, janë arrestuar 7 shtetase të përfshira në këtë aktivitet, të cilat akuzohen për veprat penale të “Prostitucionit”, “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Gjithashtu, janë arrestuar dhe disa persona të tjerë, përfshirë E. S., 39 vjeç, i cili dyshohet se ishte përgjegjës për organizimin e këtij aktiviteti kriminal në Shqipëri.
Shtetasi E. S., i cili ka bashkëpunuar me shtetasen G. R., 47 vjeç, e cila është shpallur në kërkim, dyshohet se ka siguruar kushte të favorshme për shfrytëzimin e këtyre femrave në Shqipëri. Gjatë hetimit është zbuluar se G. R., drejtonte këtë aktivitet nga Kolumbia dhe bashkëpunonte me një numër të konsiderueshëm individësh për organizimin e prostitucionit.
Gjithashtu, është identifikuar dhe një oficere policie, A. B., 34 vjeçe, e cila dyshohet se ka kontribuar në akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku këto femra do të ushtronin prostitucion, duke përdorur pozitat e saj për të mbështetur aktivitetin kriminal.
Operacioni ka vijuar me ndalimin e shtetasve të tjerë, përfshirë Y. G., L. V., dhe N. B., të cilët janë arrestuar për veprat e mësipërme penale. Gjithashtu, tre shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim për përfshirjen e tyre në këtë rrjet të trafikut dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur se po vijon puna për kapjen e shtetasve që janë shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor “Orkidea” për parandalimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Ekzekutohen 11 masa sigurie, vihen në pranga 8 shtetas, shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Procedohen penalisht 44 shtetase të huaj nga Amerika Latine për prostitucion.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat e një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe me Operacionalen e DVP Tiranë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Orkidea” si rezultat i të cilët u ekzekutuan 11 masa sigurie , konkretisht:
-Arrest me burg për shtetasin E. S., 39 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit”;
-Arrest në shtëpi për shtetasen E. M., 47 vjeçe,, si e dyshuar për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit” ;
-Arrest me burg për shtetasen Y. G., 33 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen L. V., 23 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B, 27 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Veprim që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
-Arrest me burg për shtetasen S. M., 29 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B., 27 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”:
-Arrest në shtëpi për shtetasen A. B., 34 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Si dhe u shpallën në kërkim 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet krimianal.
Shtetasja G. R. 47 vjeçe, (e shpallur në kërkim) drejtonte këtë aktivitet nga Kolumbia dhe në Shqipëri bashëpunonte me shtetasin E. S., ky i fundit ishte personi përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për të ushtruar prostitucion.
Po ashtu nga hetimi ka rezultuar se shtetasja G. R dhe shtetasi E. S, bashkëpunonim me shtetaset kolumbiane dhe me shtetasen E. M dhe A. B(punonjëse policie) për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku këto shtetase do të ushtronin prostitucion.
Punohet për kapjen e 3 shtetasve në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
