Një zbulim i jashtëzakonshëm shkencor mund të ndryshojë mënyrën se si kuptohet ruajtja e fosileve ndër miliona vite. Një ekip ndërkombëtar studiuesish, i udhëhequr nga Universiteti Curtin në Australi, ka identifikuar për herë të parë prova kimike të qelizave të kuqe të gjakut dhe biomolekulave të kolagjenit në mbetjet e një dinosauri 115 milionë vjeçar. Zbulimi u bë në kockat e gjymtyrëve të një dinosauri teropod të quajtur Aratasaurus museunacionali, fosilet e të cilit u zbuluan në verilindje të Brazilit. Brenda kockave, studiuesit gjetën qeliza të shumta të kuqe gjaku, të ruajtura në kanalet vaskulare, si dhe molekula të hemës, përbërësi i hemoglobinës që lidhet me transportin e oksigjenit.
Sipas studiuesve, ky është rasti i parë kur prania e këtyre strukturave konfirmohet përmes analizave kimike, duke shkuar përtej ngjashmërive vizuale të vërejtura në fosile të tjera. Shkencëtarët besojnë se ruajtja e jashtëzakonshme e materialit biologjik lidhet me varrosjen e shpejtë të dinosaurit pas ngordhjes, në një mjedis me pak oksigjen dhe të pasur me mikroorganizma. “Zbulimi i molekulave të paprekura të derivuara nga hema brenda qelizave të kuqe të gjakut 115 milionë vjeçare është i habitshëm. Ky është vërtet një zbulim historik”, deklaroi drejtuesja e studimit, Clytie Grice, nga Universiteti Curtin.
Sipas saj, gjetja krijon një mundësi të rrallë për të studiuar drejtpërdrejt fiziologjinë e kafshëve të zhdukura miliona vite më parë, por edhe kushtet mjedisore në të cilat ato jetonin. Studimi, i publikuar në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), mund të ketë rëndësi edhe për astrobiologjinë. Studiuesit vlerësojnë se zbulimi zgjeron njohuritë mbi mënyrën se si strukturat molekulare mund të mbijetojnë për periudha jashtëzakonisht të gjata, duke hapur perspektiva të reja edhe në kërkimin për gjurmë të jetës së lashtë në Univers.
