Studiuesit britanikë të Universitetit të Oxford thanë se deksametazoni (Dexamethasone) që përdoret që prej viteve ‘60 për të zvogëluar inflamacionin për sëmundje të tilla si artriti, ulë shkallën e vdekjes me rreth një të tretën në më shumë se 2 mijë pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Por a përdoret ky ilaç tek personat e prekur nga COVID-19 në Shqipëri?

Shefja e Infektivit, doktoreshë Najada Çomo deklaron në një prononcim për “BalkanWeb” se ky bar përdoret nga ky shërbim tek pacientët që kanë insuficiencë respiratore.

“Bari dexamethasone është një bar i përdorur në shërbimin infektiv dhe vijon të përdoret për personat që kanë insuficiencë respiratore në gjendje të rëndë, pra ajo që në gjuhën mjekësore quhet detresi respirator, që rëndon situatën e këtyre pacientëve”, deklaroi Çomo për “BalkanWeb”.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pranoi sot se ky është trajtimi i parë që ul vdekshmërinë te pacientët me koronavirus.

“Ky është trajtimi i parë që shfaq uljen e vdekshmërisë te pacientët me Covid-19, të cilët trajtohen me oksigjen apo me ventilatorë”, tha drejtori i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus.

“OBSH-ja do të koordinojë të gjitha analizat e të dhënave, me qëllim që të kemi një kuptim më të qartë të ndikimit të këtij ilaçi. Udhëzimet klinike të OBSH-së do të përditësohen, me qëllim që të tregojnë se si ky ilaç duhet të përdoret për pacientët me Covid-19”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb