TIRANE- Mbrëmë Lulzim Basha deklaroi se nuk do të ishte pjesë e takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini në Tiranë, por sot gjërat ndryshuan dhe në axhendën e saj është parashikuar edhe një takim me kryedemokratin në orën 19:45, siç konfirmoi News 24. E për këtë duket se një person brenda Partisë Demokratike ka bërë përpjekje të vazhdueshme.
Burime të BalkanWeb thonë se, Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu është impenjuar personalisht që prej tre ditësh të zhvillojë biseda me diplomatë ndërkombëtarë, me qëllim që axhenda e zonjës Mogherini të përfshijë edhe liderin e opozitës. Që Mogherini të takohet me Bashën, të njëjtat burime thonë se kanë lobuar edhe zyrtarë të tjerë nga vende partnere dhe mike. Dhe ashtu ndodhi.
Kryedemokratit Basha i është dhënë mundësia t’i shprehë nga afër përfaqësueses së lartë të BE-së këndvështrimin e tij, të flasë për protestën dhe aksionin opozitar.
Kujtojmë se sot në mëngjes ai është takuar me tre përfaqësuesit e PD-së, që do të jenë në takimin me Mogherinin, nënkryetarin e Kuvendit, Edmond Spaho, kreun e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka dhe Kryetaren e komisionit të integrimit, Maljinda Bregu.
Fill pas këtij takimi ata iu bashkuan aleatëve opozitarë në një mbledhje, për të diskutuar ftesën e dialogut nga mazhoranca, në përfundim të së cilës vendosën edhe 4 kushte:
1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.
2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.
3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.
(m.a/BalkanWeb)
