Rreth orës 6:30 të ditës së sotme, gjate kontrollit në skaner të një mjeti bosh në dalje në pikën doganore të Kakavijës, u vu re krijimi i një dopio shasie, ku ishte vendosur një sasi e dyshuar lënde narkotike “canabis sativa”.

Punonjësit e doganës e kanë kaluar mjetin trajler për kontroll fizik, së bashku me forcat e policisë, ku janë zbuluar 166 pako me 2.1 kg secila lëndë e dyshuar narkotike.

Dogana dhe forcat e policisë po vijojnë me kryerjen e procedurave ligjore.

  • foto galeri
  • foto galeri

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku”. Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, bazuar në informacionet policore dhe analizën e riskut, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Gjatë kontrolleve intensive me mjete logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë dhe Doganës gjetën të fshehura në brendësi të një kamioni rreth 166 pako me lëndë narkotike kanabis, me peshë totale rreth 350 kilogramë. Vihet në pranga drejtuesi i kamionit ku u gjet lënda narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe informacionet në rrugë operative, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë në dalje kamionin që drejtohej nga shtetasi E. Q.

Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në një vend të krijuar posaçërisht në dyshemenë e kamionit, poshtë shtresës së saj, rreth 166 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kanabis, me peshë totale rreth 350 kilogramë. Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin E. Q., 33 vjeç, banues në Tiranë, shofer i kamionit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 350 kilogramë Cannabis Sativa dhe kamioni.
Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP-të e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: