Policia spanjolle ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një rrjeti kriminal të përbërë nga shtetas shqiptarë, i cili vepronte në provincën e Zaragozës duke kultivuar marijuanë në magazina industriale të përshtatura si “shtëpi bari”.
Hetimet nisën në shtator 2024, kur policia dyshoi se disa magazina në periferi të Zaragozës po përdoreshin për aktivitete të paligjshme. Pas disa muajsh survejimi dhe hetimesh, autoritetet kryen tetë kontrolle në magazina dhe banesa të ndodhura në disa zona të ndryshme. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithsej 2013 bimë kanabisi dhe mbi 20 kilogramë lule marijuane. Po ashtu, policia konstatoi se rrjeti kishte vjedhur energji elektrike në vlerën e rreth 214 mijë eurove, një konsum i barabartë me atë të 250 banesave për një vit.
Në pranga përfunduan nëntë persona, të moshës 21 deri në 46 vjeç, të cilët kishin role të ndryshme brenda organizatës kriminale. Sipas hetimeve, njëri prej tyre drejtonte aktivitetin dhe merrej me logjistikën dhe financat, ndërsa të tjerët transportonin materialet ose shërbenin si kujdestarë të plantacioneve, duke jetuar brenda magazinave. Gjatë kontrolleve u sekuestruan gjithashtu shuma të konsiderueshme parash, telefona celularë dhe dokumente që pritet të ndihmojnë më tej hetimin. Dy nga të arrestuarit akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve publike, pasi dyshohet se kishin përdorur identitete të rreme për t’iu shmangur identifikimit nga autoritetet.
