TIRANE- Zona e Lundrës në Tiranë është bërë vitet e fundit vendi i preferuar për banim nga miliarderët e Tiranës mes të cilëve politikanë, ish-kryeministra e fëmijë ish-kryeministrash, maniatë mediash, biznesmenë etj. Por Gazeta Dita ka mësuar se brenda kompleksit luksoz ka blerë një vilë edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, të paktën kështu thuhet në kontratën noteriale që ata sigurojnë.

Dokumentet zbulojnë se rezidenca e re e ambasadores Vlahutin është blerë me fonde të BE-së për plot 1 milion e 649 mijë euro, duke u renditur ndoshta në top listën e vilave më të shtrenjta të këtij kompleksi luksoz.

Bëhet fjalë për një vilë rreth 345 metra katrorë në një truall rreth 1600 metra katrorë.
fax-faq-pare

Dita gjithashtu ka mësuar se një mision auditi i BE-së do udhëtojë drejt Tiranës.

Ndërkohë një tjetër fakt kurioz i shton dyshimet: Agjencia e njohur për shkrime investiguese BIRN, e la përgjysëm hetimin për këtë blerje për arsye ende të panjohura.

Hetimi u ndërpre në momentin që analiza krahasimore e çmimit të vilave në këtë kompleks nxori në pah një të dhënë shumë kompromentuese: Çmimi i vilës në fjalë, as në shkurt 2015 kur u lidh kontrata, as sot e kësaj dite nuk i kalon të 1 milion eurot.

Një jurist i kontaktuar nga Dita thotë se duhet parë bazuar në çfarë rregullash zyra e BE në Tiranë ka vendosur të bëjë një blerje të tillë, pse vilë për ambasadoren dhe jo zyra për shembull; përpos faktit që duket e pa precedentë që një organizatë multinacionale blen prona në një shtet të caktuar.

E pyetur nga Dita, Ministria e Drejtësisë nuk pranoi të jepte informacion mbi rastin, por gazeta disponon aktin noterial të blerjes.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb